Tirana ka vazhduar përgatitjet për sfidën me Laçin. Skuadra ka punuar si zakonisht, ndërsa dihen problemet që ka. Xhixha mbetet në dyshim ashtu si edhe Përgjoni e Gjumsi për sfidën me kurbinasit.
Trajneri Orges Shehi u ka deklaruar lojtarëve që tani, kur distanca me vendin e dytë është sërish katër pikë, ekipi duhet të jetë shumë i kujdesshëm. “Ta mbajmë këtë avantazh dhe të mos gabojmë.
Duhet të tregohemi të qartë e të saktë në çdo ndeshje”, mësohet t’u ketë thënë Shehi. Nga ana tjetër, Tirana do të luajë të martën dhe trajneri ka kohë të përgatisë ndeshjen.
Kartonët janë problemi i vetëm i ekipit. Tre futbollistë rrezikojnë të mos jenë me Teutën nëse ndëshkohen me kartonë të verdhë ndaj Laçit. Bëhet fjalë për Najdovskin, Hotin dhe Limajn që kanë nga tre të verdhë.
Të tre lojtarët duhet të ruhen për të gjitha ndeshjet në vazhdim. Nga ana tjetër, Laçi është një skuadër që Tirana e mundi paq në fazën e parë me dy gola. Kurbinasit sezonin e shkuar nxorën jashtë bardheblutë nga një shans për të luajtur në Europë.