Futboll Seria A Sport

POLEMIKA TEK INTER/ Lautaro dhe Calhanoglu përplasin “brirët” për penalltitë

Interi po kalon një mo ment fantastik, por jo çdo gjë shkon vaj në shtëpinë e kampionëve. Këtë herë çështje janë bërë penalltitë. Pesë penalltitë e fundit të akorduara në favor të tyre në Serinë A, që kanë pasur dy ekzekutues të ndryshëm, janë bërë burim i mosmarrëveshjeve mes futbollistëve.

Saga nisi në derbin me Milanin, aty ku në shenjë solidarizimi për momentin e vështirë të Çalhanoglusë përballë vërshëllimave të ish-tifozëve, Lautaro e lejon turkun të godasë 11-metërshin. Por, të dytën brenda ndeshjes argjentinasi e merr vetë përsipër dhe gabon, ndaj në sfidën pasardhëse me Napolin ishte përsëri mesfushori që ekzekutoi.

Zikaltrit do të merrnin një tjetër penallti ndaj Venecias, e shndërruar në gol nga Lautaro, ashtu si ajo e përballjes së fundit me Specian. Por, këtë herë “Demi” ka përplasur brirët me Çalhanoglunë. Turku është drejtuar te pika e bardhë për të imponuar goditjen, ndërsa nga ana e tij sulmuesi ka përqafuar topin për të mos e lejuar diçka të tillë. Është dashur ndërhyrja e shokëve të ekipit për të evituar përplasjen, me Brozoviçin që përpiqet t’i mbushë mendjen Lautaros të tolerojë, ndërkohë që D’Ambrozio largon Çalhanoglunë. Në fund dominon vullneti i numrit 10 që nuk gabon nga pika e bardhë, ndërkohë që ish-futbollisti i Milanit nuk bëri më asnjë reagim polemizues.

Në dukje çdo gjë është e zgjidhur, por tashmë pikëpyetja mbi hierarkinë e penalltive, të cilën Inzagi pas ndeshjes e shmangu (“Kam besim si te Lautaro, ashtu dhe te Çalha e Perisiç, nuk ka rëndësi kush gjuan”), është më prezente se kurrë dhe trajneri duhet të gjejë një zgjidhje, para se episode të tilla të bëhen të shpeshta dhe të krijojnë shqetësime. Jo vetëm këtë, por Inzagi duhet të menaxhojë edhe mungesat e mbrojtjes për sfidën me Romën, më e vështira e dhjetorit.

DËMTIMET – Pas një situate emergjente në mbrojtje, një lajm i mirë vjen për Inzagin pikërisht nga Alesandro Bastoni, për të cilin janë rritur shumë shanset e rikthimit. 22-vjeçari e ka lënë pas gjendjen virusale dhe pritet të jetë i gatshëm për verdhekuqtë, ndërsa për De Vrajin mundësia është e vogël. Holandezi nuk është rikuperuar ende plotësisht nga dëmtimi dhe zikaltrit po shpresojnë ta kenë në dispozicion për Realin e Madridit në mesjavë, në një ndeshje ku përsëri nuk do të jenë në dispozicion Darmian e Ranokia, ndërkohë që Kolarov po punon individualisht.

Related posts

Merkato/ Edhe Chelsea ‘joshet’ nga Sanchez, Mourinho ndjen ‘kërcënimin’ e Contes

Q.Autor

ËSHTË ZYRTARE/ Atletico prezanton blerjen më të shtrenjtë në histori (VIDEO)

Delo.autor

“EL PIPITA” NUK NDRYSHON KURRË/ Vitet kalojnë por hiti i preferuar “Despacito” mbetet, Matuidi shkrihet së qeshuri (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment