Futboll Kategoria Superiore Sport

“SHPRESOJ QË TË VAZHDOJMË ME POZITIVITET”/ Seferi: Tirana po tregon forcën, 7 gola janë pak

Taulant Seferi është lokomotiva që po tërheq Tiranën. Me shtatë gola të shënuar ai është lideri i kësaj skuadre. Në sfidën me Kastriotin shënoi dy golat e parë dhe dha një asist. Një paraqitje perfekte për bomberin që është kandiduar të jetë golashënuesi i Superiores. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi pranon se mund të kishte bërë shumë më mirë, ndërsa është i bindur se Tirana do të shkojë e atje ku e ka vendin.

Nuk shënuat me Egnatian, por në ndeshjen me Kastriotin shënuat dy gola të tjerë…

Po, është ndjesi e mirë që të shënosh. Gjithsesi, më e rëndësishme është fitorja. Në fazën e parë të kampionatit kishim lënë pikë. Patëm shumë probleme si me Egnatian edhe Kastriotin dhe normalisht që jemi të kënaqur. Këto gjashtë pikë janë shumë të vlefshme si ekip. Jam i plotësuar si individualisht dhe me atë që po bën ekipi në fushën e lojës.

Katër pikë më shumë se Kukësi. Ju vjen keq që prishët avantazhin që kishit?

Normalisht, Kukësi ka ndeshjen për të luajtur, gjithsesi gjërat ndryshuan. Si Taulant më intereson ekipi im dhe se çfarë bën ai në fushë dhe jo kundërshtarët. Unë dua të ecë skuadra ime, çfarë bëjnë të tjerët kjo duhet të shihet. Nëse ecim mirë besoj se do të jemi aty ku e ka vendin Tirana. Ana jonë pozitive është që kemi rezultate pozitive dhe këtë forcë po e tregojmë në fushë.

Shtatë gola në 12 takime është statistikë e mirë për një sulmues. Mund të kishte qenë edhe më e mirë?

E di që mund të kishin qenë më shumë gola. Unë asnjëherë nuk ngopem në çdo ndeshje. Jap maksimumin, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç do ti. Ama jam i kënaqur, sepse kur ecën ekipi, eci edhe unë individualisht. Dua që ekipi të ecë dhe unë do të eci. Nuk ka ku të shkojë.

Jeni kthyer në njeriun asist te Tirana. Mund të bëni çdo rol në fushën e lojës?

Unë gjithmonë vë përpara skuadrën. Luaj me një ekip dhe me shokë. Asnjëherë nuk kam menduar që të jem egoist dhe nuk do të jem egoist. Sa herë kam mundësi që të pasoj kur shoh një shok në pozicion më të mirë, të jenë të sigurt të gjithë se do ta bëj Për mua nuk ka rëndësi nëse e shënon dikush tjetër golin me asistin tim. Zëre se e kam shënuar unë.

I fshiheni gjithmonë kësaj pyetjeje. Tirana është skuadra numër një pretendente për titullin kampion?

Nuk preferoj që ta them publikisht. Është shumë herët për të folur. Ka ikur vetëm një e treta e sezonit. Them që kemi një skuadër shumë të mirë. Shpresoj që të vazhdojmë me pozitivitet dhe rezultate të mira. Për ndeshjen e ardhshme do të bëjmë gjithmonë atë që kemi bërë: maksimumin, dhe jam i bindur se do të bëjmë njëlloj si në fazën e parë.

Related posts

KUPA E AFRIKËS/ Asnjë gol në 3 ndeshje, super sfida Kamerun-Ganë nuk prodhon fitues

Delo.autor

PO BËHET VIRALE/ Portieri Courtois “çmend” rrjetet sociale, tifozët e krahasojnë me legjendën (VIDEO)

Delo.autor

Kanosja me thikë e trajnerit Migen Memelli, reagon KF Tirana: Do marrim masa

Sadik.Autor

Leave a Comment