Bundesliga Futboll Sport

STATISTIKAT E FRIKSHME/ Gola me breshëri, Lewa-n tani quajeni… “REKORDowski”

Ka shumë pak gjëra që Robert Levandovski nuk i ka arritur me Bajernin e Mynihut. Në rang klubesh, polaku i ka fituar të gjithë trofetë, ndërsa në aspektin personal ai është duke vendosur rekorde të njëpasnjëshme. Pesë herë golashënuesi më i mirë, sulmuesi më i mirë i 2021-shit, fituesi i “Këpucës së Artë” 2021, lojtari i vitit në Gjermani dhe lojtari më i mirë në botë në 2020- ën, janë vetëm disa nga arritjet e tij.

33-vjeçari po regjistron çdo javë rekorde të reja, ai i ardhshmi është vetëm disa javë larg. Arritja më e madhe është pa dyshim thyerja e rekordit të Gerd Mylerit, i cili kishte vendosur një tabu në kampionatin gjerman prej gati gjysmë shekulli me 40 golat e shënuar.

Por, Leva u tregua i pamëshirshëm duke shënuar 41 gola në sezonin e kaluar dhe thyer përgjithmonë rekordin e Gerdit. Në ndeshjen ndaj Volfsburgut në javën e 17-të ai theu një tjetër rekord, atë të shënimit të 42 golave në kampionat në një vit kalendarik.

EKSPERT I TRANSFERTAVE

Polaku vendosi rekordin e radhës edhe falë dy golave të shënuar ndaj Dortmundit në javën e 14-të. Ishin golat 117-118 në transfertë në kampionatin gjerman duke thyer kështu rekordin e Klaus Fisherit, i cili mbante vendin e parë me 117 gola të shënuar në ndeshjet jashtë fushe me skuadrën e Shtutgartit.

Rekordi tjetër është vetëm një çështje kohe për bomberin e Bajernit, i cili nëse shënon dhe dy gola të tjerë në ndeshjet e ardhshme do të bëhej lojtari me më shumë gola në moshën mbi 30 vjeç. Ndërkohë që Robert hyn gjithashtu te lojtarët që në shumicën e ndeshjeve të tyre kanë shënuar më shumë se një gol në transfertë.

REKORDET NË BUNDESLIGË

Sigurisht që rekordi që mbetet një ëndërr për polakun është edhe ai i të shënuarit më shumë se 365 gola në Bundesligë. Ishte sërish Gerd Myler, i cili vendosi këtë rekord me skuadrën e Bajernit gjatë karrierës së tij me gjermanët. Momentalisht, Leva është në kuotën e 295 golave.

Kontrata e tij me Bajernin përfundon në vitin 2023 dhe me shumë gjasa 33-vjeçari do të rinovojë edhe për 3 sezone të tjera. Nëse tri sezone do t’i mjaftonin atij për të thyer këtë rekord, kjo mbetet për t’u parë.

Por, hapat me të cilat është duke ecur bomberi i klubit më të titulluar në Gjermani janë gjigande, ashtu si forma që po kalon ai. Në fazën e parë Leva ka shënuar deri tani 19 gola në 17 ndeshje duke lënë pas Patrik Shikun me 16 gola dhe Erling Halandin me 13 gola.

Për momentin polaku duket se nuk do të ketë rival edhe pse kampionati është vetëm në gjysmën e rrugës. Por e kaluara na ka treguar se në fazën e dytë Leva ka bërë gjithmonë më mirë duke qenë një garanci për titullin kampion.

Related posts

Laçi një supermarket, Kukësi i merr një nga lojtarët më të mirë

Sadik.Autor

MERKATO E JANARIT/ Probleme për Chelsea-n, ylli është afër arritjes së akordit me gjigantët spanjoll…

Delo.autor

Low: Gotze është djegur, u pendova kur i thashë se duhet të tregonte se ishte më i mirë se Messi!

Sadik.Autor

Leave a Comment