Futboll Seria A Sport

ANALIZA/ Titulli luhet mes milanezëve, ja pse Interi është favorit

Interi dhe Milani e kanë privatizuar momentalisht luftën për titull, ndërsa në horizont është Derbi i Madoninës që pritet të përcaktojë shumë. Një lloj bilanci i përmbledhur në pesë pika kryesore na ofron një panoramë të skuadrave, në një moment ku dukshëm peshorja anon në kahun zikaltër, e kjo jo vetëm për sa u përket pikëve në klasifikim.

KALENDARI – Marsi vendimtar i Inzagit, transfertat e frikshme të Piolit

Në javën e 24-t, fill pas pauzës së kombëtareve, do të jetë derbi i shumëpritur. Përveç kësaj, gjuetia për stemën trengjyrëshe mbart edhe të papritura dhe Milani e provoi këtë me Specian. Në letër, kalendari i kuqezinjve është i frikshëm: këtë fundjavë ndeshen me Juventusin e pas derbit duhet të vizitojnë Napolin, Torinon, Lacion, Veronën e Sasuolon, ndërsa në shtëpi presin Fiorentinën e Atalantën. Më pak e komplikuar duket axhenda e Interit: Napoli, Torino dhe Juventusi janë të vetmet transferta vërtet të vështira. Ajo ama që pritet të luajë një rol të rëndësishëm është edhe frekuenca e sfidave, jo vetëm kundërshtarët. Të vetmet angazhime të Milanit mbeten kampionati dhe sfidat e Kupës së Italisë, kurse Interi, përveç Champions-it, duhet t’i bëjë llogaritë edhe me shlyerjen e mundshme të ndeshjes me Bolonjën dhe po ashtu edhe me Kupën e Italisë nëse kualifikohet sot. Thelbësore për zikaltrit do të jetë periudha nga 8 marsi në 10 prill, kur do të luhet ndeshja e kthimit me Liverpulin, transferta e dyfishtë në Torino mes së cilës do të përballen me Fiorentinën e më pas me Veronën.

SITUATA – Inter besimplotë dhe Milan i gjymtuar

Tek Interi trofeu i fituar sjell një dozë energjie dhe mund të themi që zikaltrit janë mirë: kanë forca të shumta në dispozicion me anë të të cilave kompensojnë lodhjen e kanë barazuar në një transfertë të vështirë me Atalantën pas 8 fitoresh radhazi. Nga ana tjetër është një Milan që ka marrë një goditje të rëndë psikologjike me Specian, pasi ka kaluar një kalvar të gjatë dëmtimesh dhe i janë dashur 120 minuta për të kaluar Xhenoan në Kupën e Italisë, angazhim që i la të sfilitur. Gjendja fizike ka qenë ajo që ka penalizuar gjatë gjithë sezonit “Djallin”, që është gjendur gjithmonë e më rrallë me kapacitetin e tij të plotë. Të riformulojë mbrojtjen ose mesfushën është e pamundur për Piolin, ndërkohë që çdo tri ditë mungon një nga titullarët e skuadrës dhe alternativat nuk japin përgjigjet e duhura.

MBROJTJA – Muri zikaltër përballë titullarëve të paparashikuar kuqezinj

Treshja mbrojtëse e Interit ka qëndruar e paprekur pas fitores së Skudetos dhe me rikthimin e një Handanoviçi që duket si i viteve më të mira të tij, të kalosh murin zikaltër është shumë e vështirë. Djemtë e Inzagit mbrojnë më para dhe e mbajnë më shumë topin gjë që e ka shndërruar në mbrojtjen e dytë më të mirë të kampionatit, pas Napolit. Për Piolin ama, prapavija është pika e tij e dobët: dëmtimi i Kjaerit, lider jo vetëm teknik; humbja e Tomorit, më i shpejti për të mbrojtur në fushë të hapur; rikthimi i Kalabrias pas dy muajsh e Romanjoli jashtë skuadre, kanë bërë që titullarët të jenë Gabia dhe Kalulu, jashtë çdo parashikimi të teknikut kuqezi.

MESFUSHA – Udhëheqin Brozoviç dhe Tonali

Brozoviç e Tonali udhëheqin skuadrat përkatëse, jo vetëm me shumë autoritet, por edhe me përmbajtje, që i ka bërë të pazëvendësueshëm për trajnerët. Italiani është i tillë edhe për mungesë opsionesh, pasi Benaser e Kesi ndodhen në Kupën e Afrikës, ndërkohë që rezervat e tjera nuk sigurojnë as muskuj dhe as talent. Madje, edhe Diaz duket sikur diçka i mungon. E këtë diçka “kushërinjtë” e kanë gjetur tek ish-i Çalhanoglu, në një mesfushë që edhe pse nuk ka rezerva cilësore me përjashtim të Vidalit, ka gjetur vazhdimësinë dhe një Barela që superon çdo defekt me dinamizmin e tij. Pa harruar këtu edhe një tjetër vlerë të shtuar që shpesh i bashkëngjitet këtij reparti: Bastonin.

SULMI – Xheko në rënie, Leao i pandalshëm

Qyteti më produktiv i Italisë ka shënuar thuajse 100 gola, 51 zikaltër dhe 47 kuqezinj, edhe pse meritat nuk duhet t’i atribuohen vetëm sulmit por gjithë fazës ofensive. 16 golashënues për Interin dhe 15 për Milanin, por për pykat e kryesuesve momenti nuk është i mirë: asnjë gol me aksion së fundmi, një Xheko në rënie dhe shumë raste të shpërdoruara. Mungesë konkretizimi ka pasur edhe Milani në ndeshjen me Specian, por Pioli mund ta bëjë gjumin të qetë sepse Leao aktualisht është i pandalshëm, Ibra gjiganti i përhershëm dhe Zhiru nuk lë pa dhënë kontributin e tij. Tashmë po rikthehet Rebiç, i duhuri për të rritur presionin lart, siç “Djalli” pëlqen të luajë, pa harruar një Teo Hernandez që nuk lë mundësi t’i shkojë dëm para portës.

Related posts

LIVE/ Juve-Inter: “Shkëndijat” e para të sfidës, Dibala tremb portën e Handanoviç (VIDEO)

Isa.Autor

PASI BRITANIA E MADHE I NGRIU PASURINË ABRAMOVICH-IT/ Zbulohet e dashura e tij ukrainase (FOTO)

F.autor

QESHARAKE/ Gjetia gjeniale e tifozit anglez, OFRON një DHI nëqoftëse Sunderland…

Isa.Autor

Leave a Comment