Futboll Kategoria Superiore Sport

“E DOMINUAM KUKËSIN”/ Demiri: Sinjal kthese, do të flitet ndryshe për ne

Dinamo e nisi mbarë 2022-shin, duke marrë një fitore me vlera të shumëfishta ndaj Kukësit. Edhe fati bëri të vetën me atë gol të shënuar në minutat e fundit nga Imami, por realisht blutë zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë në “Elbasan Arena”.

Mesfushori Besir Demiri, një nga titullarët e Dinamos, e konsideron fitoren ndaj Kukësit një sinjal të qartë pozitiv për një skuadër ndryshe në vazhdim.

NDRYSHIMI – “Po, treguam se kemi ndryshuar për mirë si skuadër. Ishte një sinjal kthese. Jo vetëm fitorja, por edhe loja jonë në tërësi në atë ndeshje ishte vërtet pozitive, sepse e dominuam Kukësin dhe e merituam plotësisht trepikëshin. Çfarë ka ndryshuar? Tani jemi një skuadër më e pjekur, më solide, me më shumë lojtarë me përvojë në fushë.

Në 2021-shin ne kishim më shumë lojtarë të rinj në formacion, kurse ndaj Kukësit ishin vetëm portieri dhe Ali Samake. Lojtarët e ardhur në merkato e kanë përmirësuar skuadrën. Lilaj dihet se çfarë lojtari është, nuk ka nevojë për komente, por edhe Denison është përshtatur shumë mirë me lojën e Dinamos.

Dua të theksoj edhe faktin se tashmë askush nuk e ka vendin të sigurt në formacion dhe kjo bën që të gjithë të japin maksimumin. Përvoja më e madhe e lojtarëve që ka skuadra mendoj se ka të bëjë shumë”, thekson për “Panorama Sport” Demiri.

MESFUSHA – Gjatë ndeshjeve të mëparshme Demiri ka luajtur me partnerë të ndryshëm në mesfushë, një repart që në ndeshje të caktuara ka pasur probleme, kurse ndaj Kukësit u duk më e stabilizuar. “Unë e thashë më lart se Sabien Lilaj, me përvojën e madhe që ka, do ta ndihmojë shumë mesfushën, por edhe skuadrën. Dinamo tani jo vetëm në mesfushë, por në të gjitha repartet është një skuadër më e konsoliduar”, shprehet më tej mesfushori.

TIRANA – “Ndeshjet janë të gjitha të rëndësishme dhe ne i marrim një e nga një. Besoj se i kemi të gjitha mundësitë ta përmirësojmë edhe më shumë atmosferën në skuadër me një fitore ndaj Tiranës. Këtë kundërshtar e njohim, sepse jemi ndeshur tri herë këtë sezon. Dinamo nuk është më ajo e para, por duhet të jemi të përqendruar në çdo moment dhe tani jemi të fokusuar te Tirana për të vazhduar ecurinë pozitive”, thotë Demiri.

KAMPIONATI – Për titullarin e bluve, shpresat për të kapur Europën nga kampionati nuk janë shuar: “E vërteta është se kemi ende diferencë pikësh me vendet e para, por nuk kemi arritur akoma në gjysmën e kampionatit. Shpresat për një vend që të çon në Kupat e Europës nga kampionati nuk kanë “vdekur”, siç mundëm Kukësin, mund të mundim çdo rival dhe në këtë kampionat, nëse bën disa fitore radhazi, ngjitesh lart në renditje.

Kam besim se do të vazhdojmë ashtu si e nisëm këtë vit dhe më pas për Dinamon do të flitet ndryshe. Nuk jemi skuadra që qëndron në vendet e fundit, por një skuadër me potencial për kreun e tabelës. Lojtarët e ardhur në merkato e kanë forcuar shumë Dinamon”, përfundon Besir Demiri.

Related posts

“BOMBA E DITËS”/ MILANI shumë PRANË mbrojtësit më të mirë në botë, vjen në JANAR

Isa.Autor

BARAZIM PA GOLA/ Partizani dhe Tirana ndajnë pikët në “Air Albania”, përfiton Teuta

Delo.autor

LIVERPOOL-BOURNEMOUTH/ “Të Kuqtë” dyfishojnë shifrat, shënon Wijnaldum

Delo.autor

Leave a Comment