Futboll Shqipëri Sport

NGA DEBUTIMI TEK BARCELONA TEK KTHIMI NË ITALI/ Rrëfehet Manaj: Koeman më garantoi se do luaja, por…

Jeta e Rei Manajt ka ndryshuar në mënyrë të papritur në muajt e fundit. Një debutim spektakolar me Barcelonën, aktivizimi në fazën përgatitore në shumë ndeshje, më pas qëndrimi në stol në kampionat me ekipin e parë dhe në fund largimi drejt Specias në Serinë A. Një largim të cilin lojtari ka zbuluar në një intervistë në “Mundo Deportivo”, se e kishte bërë duke menduar për Shqipërinë, edhe pse Kuman i kishte garantuar një vend në skuadrën e parë.

Në intervistën e tij, Manaj ka folur për të tashmen, por edhe për të ardhmen, duke zbuluar se nuk ka ende asgjë konkrete dhe çdo vendim do ta marrë në fund të sezonit, edhe pse Barcelona e kishte monitoruar gjatë kësaj periudhe në stadium.

Si po ju shkon kthimi në Itali?
Jam shumë i lumtur. Skuadra po ecën mirë dhe unë po ashtu po kaloj një moment shumë të mirë. Sapo kemi fituar tre ndeshje radhazi jashtë shtëpisë në katër javë e fundit, por duhet të jemi të vetëdijshëm se një rezultat i keq mund të prishë gjithçka. Ne duhet të vazhdojmë me përulësi dhe të mos kemi frikë askënd.

Një stil shumë i ndryshëm nga Barça?
Të luash te Barça është ndryshe nga ajo që duhet të bësh për të luftuar për të mos rënë nga kategoria. Në Barcelonë mendoja vetëm për të finalizuar ndërsa këtu më duhej të përshtatesha me një mënyrë tjetër loje.

Serie A dhe La Liga, kanë pak gjëra të ngjashme?
Në Spanjë është një futboll shumë më teknik, këtu janë shumë taktikë, shqetësohen për mbrojtjen. Në La Liga mendojnë më shumë për të sulmuar, këtu është e rëndësishme që mos të të shënojnë gol. Skuadrat që pësojnë më pak gola fitojnë kampionatin.

Dhe Specia që kërkon vendin e saj…
Vitin e kaluar ata bënë mirë dhe tani ka lojtarë të rinj. Le të shohim nëse mund të qëndrojmë në kategorinë më të mirë.

Është klubi me moshën mesatare më të re në pesë ligat kryesore evropiane. Një projekt dhe një sfidë…
Është një grup shumë i ri. Kam përpara një projekt shumë të bukur si dhe me një trajner që i pëlqen të luajë futboll. Nuk kemi shumë eksperiencë, por jemi të gjithë bashkë në ndjekje të objektviti për të vazhduar në Serie A.

Me Tiago Mota, një ish i Barçës, në stol…
Ai ishte një nga mesfushorët më të mirë në botë. Po e tregon edhe si trajner. Ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin dhe ai është i përfshirë me klubin.

A është aq mbrojtës sa edhe sulmues?
I pëlqen të ketë topin, por ka gjithashtu edhe shumë sforcim fizik. Atij i pëlqen që ekipi të jetë intensiv.

A ke vendosur një objektiv golash?
Nuk po shënoj shumë gola, por paraqitjet janë të mira. Po shfaq një nivel të mirë loje. Më mungon një hap i vogël përpara për të mbushur numrin e golave. Tani e rëndësishme është të mendoj më shumë për ekipin sesa për golat.

Jeni i huazuar me opsion blerje prej 2,7 milionë eurosh. A ekziston mundësia të kthehesh?
Në këtë merkato dimërore kam pasur oferta nga Liga spanjolle për t’u rikthyer, por tani mendoj vetëm për Specian dhe për të bërë gjërat mirë. Më vonë, gjatë verës, do të ulem me përfaqësuesit e mi dhe me dy klubet e do të studiojmë zgjidhjet që ekzistojnë dhe do të vendosim.

Si ishte largimi juaj nga Barça gjatë fazës përgatitore?
Skuadra kishte shumë sulmues dhe klubi më thoshte se nuk duhej të largohesha. Fola me Kuman, ai më tha se e kisha fituar një vend, kishte besim tek unë, por edhe se kisha shumë konkurrencë dhe se me siguri do të kisha pak minuta në dispozicion.

Dhe e menduat?
Po, do të kisha pasur pak minuta. Grizman ishte aty në atë kohë dhe nëse largohej, do të sillnin dikë tjetër. Për mua ishte gjithashtu e rëndësishme të luaja, të isha protagonist, për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare.

A ju donte Kuman?
Ai më kishte llogaritur edhe mua. Zhvillova një fazë përgatitore shumë të mirë dhe për këtë arsye ai mendoi të më jepte një vend për ekipin e parë, por vendosa të largohesha sepse doja të kisha minuta.

Ju aktivizoi kundër Nastiç dhe çfarë debutimi që ishte…
Debutimi dhe shënimi i tregolëshi mund të të ndodhë vetëm një herë në jetë, por ka njerëz të cilëve nuk u ndodh asnjëherë në jetën e tyre. Isha shumë krenar, shumë i emocionuar. Më kanë shkruar njerëz nga e gjithë bota. Ishte një nga ditët më të lumtura të jetës sime.

A e morët vendimin para se të mësonit për largimin e Grizman drejt Atletikos?
Nëse do të kisha qëndruar, ndoshta do të kisha pasur mundësi të luaja, por ndoshta jo. Nuk më pëlqen të mendoj për këtë, ato janë gjëra që kanë kaluar tashmë. Tani mendoj vetëm për të shënuar gola për Specian.

A ju ka thirrur Barça? Ata janë në kërkim të një sulmuesi…
Kanë pasur kontakte me agjentët e mi dhe kanë ardhur të më shohin në stadium, por nuk më kanë thënë asgjë.

U çuditët që Kuman u shkarkua dhe erdhi Çavi?
Nuk më takon mua të komentoj, por ata janë dy trajnerë shumë të mirë. Çavi është një legjendë, duhet të jetë një nder të stërvitesh me të dhe i uroj vetëm të përfundojë në një pozicion shumë të mirë.

A e shihni lojën e Barçës tuaj?
Ata janë përmirësuar shumë. Të gjitha gjërat që ndodhin kanë një arsye. Tani Barça ka një identitet.

Ke qenë pjesë e Barçës, ka shumë cilësi për të aspiruar gjëra të rëndësishme…
Sigurisht, ka shumë cilësi në atë skuadër. Është një grup i rëndësishëm. Ata duhet të gjejnë besimin, të gjejnë rezultatet dhe jam i bindur se do të shkojnë shumë larg.

Si është dhoma e zhveshjeve atje?
Është një grup shumë i mirë, shumë profesionist, njerëz shumë të mirë

Dhe e sheh rendimentin që po japin të rinjtë?
Ata janë lojtarë shumë të mirë. Unë isha me Nikon ndërsa Gavi vinte herë pas here.

Futbolli po shfaq një brez të ri lojtarësh të rinj…
Më përpara mendohej që të dërgoheshin në Segunda B, pastaj në Segunda A dhe në fund të bëje hapin drejt La Liga. Sot është ndryshe.

Related posts

FESTON ME “SHQIPONJË”/ Realizoi golin e katërt, Ramos bën simbolin tonë

Isa.Autor

DO BËHET BABA! Kapiteni i kryeqytetasve në pritje të ëmbël (FOTO)

F.autor

Julian Draxler: Meksika më bën për të qeshur…

Sadik.Autor

Leave a Comment