Futboll Kategoria Superiore Sport

PËRGATITJET/ Kthehen 3 senatorët e Partizanit, Musta lë grupin para kohe

Partizani zhvilloi paraditen e djeshme stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për fazën e dytë të sezonit. Gjithçka nisi rreth orës 10:00. Ishte një stërvitje që e kishte thelbin te taktika dhe sjellja e duhur në fushë e lojtarëve. Presingu ishte në vëmendjen e Dritan Mehmetit.

Ai i vendosi lojtarët në situata përballë njëri-tjetrit dhe kërkoi me ngulm presion sa më të madh, direkt në momentin kur kundërshtari humbet topin.

Në pjesën e dytë të stërvitjes Mehmeti u përqendrua te faza e fundit e lojës, finalizimi dhe sjellja e skuadrës në metrat e fundit të fushës. Ia vlen për t’u veçuar saktësia “klinike” e Zhuniorit përpara portës. Ishte i vetmi që arriti të shënonte më shumë se 80% të goditjeve përballë portierit, teksa trekëndëshin e arriti disa herë.

Kroset dhe vertikalizimet ishin gjithashtu në vëmendjen e seancës së djeshme. Në fund kishte edhe pak kohë që portierët Hoxha dhe Teqja të praktikonin të riun Laroshi nga pika e bardhë. Ishte kapiteni ai që e ngacmoi disa herë, pasi Laroshi nuk po arrinte t’i kuptonte krahun e goditjes.

Sigurisht dihen aftësitë e Hoxhës në pritjet, por edhe gjuajtjet e penalltive. Mehmeti fërshëlleu për fundin e stërvitjes në orën 11:30, teksa një pjesë e lojtarëve vazhduan të provonin gjuajtje drejt portës.

Të fundit nga fusha u larguan Kaçe dhe talentet Dragaj e Hodo. Partizanit ditën e djeshme iu rikthyen tre lojtarë shumë të rëndësishëm. Herald Marku, Musta dhe Zhunior u kanë dhënë fund pushimeve dhe janë kthyer në fushën e blertë.

Braziliani ishte lojtari i parë që zbarkoi në stërvitje ku bëri streçing i vetëm. Ai festat i kaloi pranë familjarëve të tij në atdhe. Nga ana tjetër, Herald Marku, i cili ka vuajtur një gjendje gripale, është shëruar dhe ashtu si Zhunior u stërvit në ritëm maksimal.

Ndryshe ndodhi me Mustën. Elbasanasi mori pjesë me skuadrën vetëm në pjesën e parë të seancës dhe më pas u angazhua i vetëm në vrapim me ritëm relativisht të shpejtë rreth fushës. Ai u la i lirë nga trajneri Mehmeti përpara pjesës tjetër të ekipit

Related posts

Publikohen formacionet zyrtare për ndeshjen midis Atletico Madrid dhe Sporting Lisbonës

Sadik.Autor

PAMJE TË FRIKSHME/ Përplasja horror, sulmuesi xhamajkan thyen 4 gishtat pas duelit me kundërshtarin (VIDEO)

Delo.autor

Ronaldo te Juventus? Gazetari i njohur sportiv shokon me deklaratën e tij të fundit (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment