Futboll Kategoria Superiore Sport

RRËFEN PËR MEDIAT GJERMANE SI “TRAJNERI I VITIT”/ Brdariç: Ëndërroj Bundesligën, të huajt mbyllin sytë kur shikojnë…

Jehonë në Gjermani për vlerësimin që iu bë për vitin 2021 trajnerit të Vllaznisë, Tomas Brdariç. “46- vjeçari u shpall “Trajneri i Vitit” për sezonin 2020-2021. Nuk ishte befasuese, pasi në vitin e tij të parë si trajner i KF Vllaznia ai kishte udhëhequr klubin nga qyteti verior drejt fitimit të Kupës, ndërsa humbi kampionatin vetëm për shkak të golavarazhit kundër Teutës”, niste artikulli i medias gjermane “FuPa Portrait”, në një kohë që vetë Brdariç tregon për eksperiencën në Shqipëri edhe për portalin “ndr.de”, ku në fillim citohen këto fjalë: “Diell, Mesdhe, përgatitje!”

Skuadra e Tomas Brdariç ka lënë Malin e Zi dhe po bëhet gati për një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Tiranës. Ai e nis me rikthimin në Europë.

“Kur sjell një skuadër nga askund në kualifikimin europian, kjo të bën krenar. Mendova se ishte një mundësi dhe sfidë e madhe”, thotë fillimisht Brdariç, i cili gjithsesi nuk e sheh veten si në “parajsë” për këtë sukses, pasi sipas tij ka shumë dallime mes futbollit europian juglindor dhe atij gjerman.

“Kur vjen në Shqipëri, e kupton shpejt se sa i bukur është vendi”, thekson gjermani, por kur bëhet fjalë për gjendjen e terrenit stërvitor të klubit të tij, Brdariç nxehet pak.

“Ne nuk kemi një vend profesional. Ne stërvitemi në një vend si livadh. Shqiptarët janë shumë prapa kur bëhet fjalë për cilësinë e terreneve  stërvitore”, kritikon ai, në një kohë që pret të përfundojë fusha me bar artificial në “Reshit Rusi”.

KUSHTET
“Lojtarët vendës janë mësuar me kushtet, por ata që vijnë nga jashtë Shqipërisë ndonjëherë mbyllin sytë kur shikojnë gjendjen e fushave”, shpjegon Brdariç, i cili stërvit te Vllaznia edhe ish-lojtarin e Bundesligës (Verder Bremen dhe Freiburg), Fallou Dianje.

“Lojtarët e huaj nuk duhet të fajësojnë kushtet e fushës nëse luajnë keq, edhe pse mungojnë parakushtet teknike për të analizuar kilometrazhin në lojë apo kundërshtarin.

Ne e nisëm nga e para. Hap pas hapi ndërtuam një ekip konkurrues”, tregon me krenari 46-vjeçari gjerman.

ËNDRRA
Ish-sulmuesi i “panterave” (8 ndeshje) shpreson që puna e tij e mirë në Shkodër të bjerë në sy edhe jashtë Shqipërisë. Brdariç nuk e fsheh këtë, pasi sipas tij Kategoria Superiore nuk duhet të jetë kulmi për të si trajner. “Sigurisht”, përgjigjet ai kur u pyet nëse do të dëshironte të punonte në Bundesligë.

“Unë jam një trajner i pasionuar, kjo punë më pëlqen më shumë. Si trajner dua të matem me lojtarët dhe klubet në nivelin më të lartë të mundshëm. Kjo punë ka të bëjë gjithmonë me gjetjen e sfidave të reja. Për sa kohë e shoh këtë në Shkodër dhe klubi vazhdon të pozicionohet mirë, jam i lumtur të qëndroj. Ndryshe, sigurisht që klubet në Gjermani apo Angli janë alternativa interesante. Më pëlqen edhe liga e dytë angleze”.

SHPËRBLIMI
Brenda pak javësh Brdariç arriti të formonte një ekip të ri dhe të ndizte besimin në forcën e tij.

“Ka dallime të mëdha kur bëhet fjalë për infrastrukturën apo buxhetin. Por, këtu ka edhe futbollistë të mëdhenj me talent të madh, që duan të bëjnë ndryshimin së bashku. Sidomos për sa i përket mentalitetit dhe entuziazmit, lojtarët janë më ndryshe se në Gjermani. Ti shkel gazin çdo ditë në kushte të vështira. Sigurisht, varet gjithmonë nga vijnë dhe si janë stërvitur në futboll.

Në Gjermani gjithçka është shumë profesionale me qendrat stërvitore të të rinjve dhe lojtarët janë të përgatitur prej vitesh në rrugën e tyre për t’u bërë profesionistë. Kjo mungon këtu te pasardhësit. Në Shqipëri, lojtarëve të rinj u duhen ndoshta dy ose tri vjet më shumë”, krahason Brdariç dy botët e futbollit.

Ai e kuptoi shpejt si të pranonte kushtet në Shkodër dhe të kishte sukses. Si mirënjohje për punën e tij si trajner, Brdariç u vlerësua në mbrëmjen gala të organizuar nga FSHF-ja dhe RTSH-ja.

“Ishte një shpërblim për një punë të bërë mirë. Përpjekjet për ta bërë ekipin konkurrues kanë dhënë rezultat, pavarësisht rrethanave të pafavorshme. Arritëm të rrisim vlerën e shtuar të lojtarëve dhe klubit në një kohë të shkurtër. Puna e palodhur e përditshme dhe nganjëherë puna e pistë që duhet bërë, u vlerësuan me çmim”, u tregon gjermanëve kreu i pankinës shkodrane.

Related posts

GJITHMONË UNIKAL/ Ironia e ROBBEN: Bayerni në krizë? Mos më bëni të qesh!

Isa.Autor

Habit Bledi Shkëmbi/ Teuta pranë akordit me ish-sulmuesin e Torinos

Isa.Autor

ËSHTË ZYRTARE/ Jo vetëm merkato fushe, Milan kthen legjendën e portës… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment