Futboll Kategoria Superiore Sport

“SNAJPERI I DERBIT TË KRYEQYTETIT”/ Xhixha: Tirana fiton titullin, dua që “Këpucën e Artë” ta marrë…

Mund të quhet vrasësi i derbit. Jo vetëm se mundi me një goditje Dinamon ditën e hënë, por dy ndeshje më parë kishte shënuar edhe golin e fitores me Partizanin. Bëhet fjalë për Redon Xhixhën, sulmuesin e Tiranës, i cili këtë sezon ka shënuar gjashtë gola në Superiore. Tre ia ka shënuar Dinamos, një Partizanit, një Teutës dhe Vllaznisë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Xhixha rrëfen golin dhe atë që po jep në fushën e lojës me fanellën e bardhebluve. Sulmuesi pranoi se është luajtur në një situatë të vështirë, ndërsa është i bindur se Tirana është drejt rrugës së titullit.

Xhixha, keni shënuar golin e tretë kundër Dinamos. Blutë janë gjahu juaj i preferuar?

Nuk ka të bëjë fare që i kam shënuar tri herë Dinamos. Është vetëm rastësi. Thjesht dola para portës, godita, shënova. Jam i lumtur për golin që arrita të shënoja.

Goli ishte i rëndë, sepse solli fitoren dhe largoi kritikat e javës së shkuar që panë një Tiranë që nuk luajti mirë…

Në realitet kjo ishte ndeshja ku duhet të reflektonim. Të gjithë e dimë se para një jave nuk bëmë ndeshjen e duhur me Vllazninë. Nuk ishim në ditën tonë. Ajo punë shkoi. Me Dinamon hymë të luanim vetëm për fitore. Ia arritëm qëllimit, morëm tri pikët.

Mund të themi që Tirana është më e qetë me këtë fitore?

Tani luani me Kukësin. Kukësi është një ekip që ka treguar cilësitë ashtu siç kemi bërë ne në këtë kampionat. Tani duhet t’i gëzohemi fitores dhe të mendojmë për Kukësin që ta fitojmë edhe atë takim.

Në pozicionin që luani, jeni unikal në kampionatin shqiptar?

Nuk ka asgjë speciale. Thjesht special të bëjnë djemtë e ekipit që të japin mundësinë të dalësh atje përpara porte. Unë bëj lëvizjen, ata më japin topin dhe të dal para portës së kundërshtarit. Ata janë specialë. Unë thjesht kalibroj goditjen siç bëra këtë herë.

Nga Kukësi, deri te sfida me Laçin apo Teutën, mund të themi se vendoset kampionati?

Në këto ndeshje do të mundohemi që të luajmë për fitore. Do të shohim në fund nëse fitojmë këto ndeshje dhe dalim kampionë. Cilësitë i kemi dhe jam i bindur që kemi shumë mundësi për të dalë kampionë.

Terreni i fushës së “Air Albania”-s ishte i ngrirë. Ndikoi në lojë?

Në pjesën e parë nga krahu që sulmonim ne ishte terren i vështirë, ose të paktën nga ana ime. Në pjesën e dytë gjërat ndryshuan. Fusha ishte më e butë. Topi ecte më mirë dhe në sulm ishim më të qartë.

Para disa kohësh thatë se do të nxirrnit Seferin golashënues, por tani po dilni ju…

Jo. E them me gjithë zemër. Ia uroj Seferit të dalë i pari në listën e golashënuesve. Ai do të dalë. Unë jam i bindur. Pavarësisht golave që do të shënoj unë, Seferi do të dalë.

Related posts

Cristiano kompleton het-trikun kundër Gironas, së paku 20 gola në La Liga në çdo sezon me fanellën e Realit

Q.Autor

SKANDALI/ Foto intime brenda Bible, dy yjet e futbollit me një grua në krevat

Delo.autor

Statistikat/ Salah “shpërfill” Messin dhe Ronaldon

Sadik.Autor

Leave a Comment