Futboll Kategoria Superiore Sport

DISFATA NDAJ LAÇIT/ Hakaj: Humbje e padrejtë, Hamiti ndikoi në rezultat

Mbrojtësi i Vllaznisë, Esin Hakaj, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, shpalosi mërzinë për humbjen që kuqeblutë pësuan në Laç. Sipas tij, gjykimi në fushë dhe në VAR la shumë për të dëshiruar dhe për më tepër ndikoi në rezultatin final. Veprime të tilla mbrojtësi i shikon të përsëritura në dëm të Vllaznisë. Pavarësisht se diferenca me Tiranën ka shkuar në 13 pikë, kjo për Hakajn nuk do të thotë që Vllaznia ka hequr dorë nga titulli, por edhe nga sigurimi i një bilete europiane përmes kampionatit. Ndërsa Kupa është një objektiv që në start dhe, sipas tij, kjo do të mbetet deri në fund. Hakaj e shikon Vllazninë favorite kryesore për fitimin e Kupës për të dytin vit me radhë.

Për çfarë jeni më shumë i zhgënjyer nga ndeshja në Laç?

Me rezultatin. Mendoj se ishte një rezultat totalisht i padrejtë. Ne bëmë gjithçka që ta fitonim dhe e meritonim suksesin. Mendoj se bëmë të mirën, por ishin faktorë të tjerë që ndikuan te rezultati.

Mendoni se gjykimi i Hamitit ka ndikuar në rezultatin final?

Për mua po. Nëse ai gol që u anulua padrejtësisht do të mbetej në fuqi, do të ndryshonte totalisht rrjedhën e lojës, ku do të udhëhiqnim rezultatin. Ne dominuam në lojë, krijuam shumë raste për shënim. Nuk ishte vetëm një rast, por ishin edhe të tjerë që gjykimi ndikoi. Mendoj se Vllaznia u penalizua nga gjykimi në Laç.

Shikoni tendencë të arbitrave ndaj Vllaznisë, gabim njerëzor, apo mendoni se u bë për të favorizuar Laçin në ndeshjen e fundit?

Nuk e di a është tendencë apo jo, por të vjen keq se Vllaznia nuk është penalizuar për të parën herë nga gjykimi. Janë raste të përsëritura që kanë pasur ndikimin e vet edhe në rezultat. Të vjen keq kur këto gjëra ndodhin tani, pasi kemi edhe VAR-in për të korrigjuar.

Sa do të ndikojnë këto pikë të lëna për vazhdimësinë në kampionat?

Lënia e çdo pike është tejet e rëndësishme në kampionat, aq më tepër me kundërshtarë direkt në luftën për titull. Derisa janë ende shumë pikë në lojë, nuk kemi pse të dorëzohemi dhe të heqim dorë nga titulli. Do të luftojmë deri në fund për titullin kampion.

Sulmuesit po humbasin shumë raste, ka diçka që nuk shkon në ekip, përtej mungesës së fatit?

Nuk mendoj se ka gjëra që nuk shkojnë. Nuk po arrijmë të gjejmë rrugën e rrjetës dhe kjo ndoshta nga rëndesa psikologjike që mund të kalojnë lojtarët e sulmit. Këtë radhë e gjetëm, por ishte Hamiti dhe VAR-i që na e anuluan golin.

Duke parë diferencën e madhe në kampionat me Tiranën, mos ndoshta Kupa kthehet tashmë si synim madhor për Vllazninë?

Kupa ka qenë që në fillim objektivi ynë madhor. Ne do të luftojmë për të arritur Europën edhe nga kampionati, si dhe të fitojmë Kupën. Jemi mbajtësit e trofeut dhe nuk ka kuptim që ne të mos e pretendojmë fitimin e Kupës për të dytën herë radhazi.

Të enjten përballja e dytë për turin çerekfinal të Kupës ndaj Flamurtarit. Si e shikoni këtë takim?

Kemi bërë një hap përpara drejt kualifikimit në Vlorë, por nuk duhet të themi se jemi kualifikuar pa e kryer ndeshjen. Kanë ndodhur shpeshherë surpriza të pakëndshme nga nënvlerësimi. Duhet ta vlerësojmë drejt kundërshtarin dhe të bëjmë detyrën duke shkuar në gjysmëfinale të Kupës. As nuk e mendoj se ka për të ndodhur ndonjë surprizë e keqe, por duhet që të jemi të kujdesshëm.

Related posts

ZYRTARE/ JUVENTUSI arrijnë marrëveshjen për TRANSFERIMIN e mbrojtësit ZIKALTËR

Isa.Autor

“PO TREGOJMË SA VLEJMË, KJO ËSHTË ITALIA”/ Chiesa: Doja të shënoja në ajër

Delo.autor

RIKTHIMI TEK CHELSEA/ Sulmuesi Broja poston pozë nga stërvitja me kampionët e Champions-it (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment