Bundesliga Futboll Sport

“GJENDJA E SKUADRËS? SITUATA NUK ËSHTË E MIRË”/ Nagelsmann: Po bëj psikologun, të dënuar për fitore

Jemi të dënuar për të fituar”, ishin fjalët e para të trajnerit Julian Nagelsman ditën e djeshme në konferencën për shtyp para ndeshjes në kampionat ndaj Fyrthit. 34-vjeçari analizoi edhe ecurinë negative të skuadrës e cila në dy ndeshje nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim në Salcburg në sfidën e Champions-it.

Është rikthimi i Musialës një lajm i mirë?

Po, është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Ai ka nisur stërvitjen dhe mendoj se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e së dielës.

Si është gjendja e skuadrës?

Leoni është rikthyer në stërvitje edhe pse do të jetë i vetëm. Shpresojmë të mos ketë dhimbje dhe të vazhdojë i qetë fazën e rikuperimit. Dejvis është mirë dhe mund të rikthehet me skuadrën më shpejtë se ç’ishte parashikuar, por gjendja e tij do të vazhdojë të mbesë në mbikëqyrjen e mjekëve. Koman është në dyshim pasi ka marrë një goditje në ndeshjen e fundit, gjithsesi do të duhet të presim deri ditën e ndeshjes.

Si do ta përshkruanit ecurinë në ndeshjet e fundit?

Rezultate flasin vetë, duhet të marrim kontrollin e lojës dhe të gjejmë vazhdimësinë. Sigurisht që kam menduar jo pak në këtë javë, por jam i bindur në forcën e skuadrës sime dhe kjo më jep shpresë se do të vazhdojmë të jemi kryesuesit e kampionatit deri në maj.

Cili është plani B në ndeshjet e tilla?

Në mendjen e një trajneri bluhen gjithmonë dy mendime: të fituarit menjëherë dhe të fituarit me hapa të ngadaltë. Kjo ndodh edhe te drejtuesit të cilët duhet të mendojnë për të tashmen dhe për të ardhmen. Momentalisht duam që të gjejmë stabilitetin dhe të vazhdojmë rrugëtimin tonë. E dimë që gjithmonë ka pengesa, por ato janë bërë për t’u kaluar. Para Bohumit gjithçka ishte mirë, më pas barazuam sërish në fund dhe tani është më se e drejtë për të vrarë mendjen. Kemi pësuar shumë gola dhe kjo është më shqetësuese. Skuadra duhet të reagojë.

Pse po kalon kaq shumë mbrojtja?

Janë momente që nuk mund të shpjegohen. Por i kam thënë lojtarëve që luajnë në atë repart që kanë të gjithë mbështetjen time. Jam i bindur që do të gjejnë besimin te vetja dhe do të bëjnë një ndeshje të mirë duke nisur nga ajo me Fyrthin.

Ku do ta gjeni forcën për të reaguar?

Trajneri shpeshherë duhet të bëjë dhe psikologun. Po stërvis një skuadër të madhe dhe kjo është më e lehtë për mua. Skuadrat nuk mund të krahasohen gjithmonë, do të punojmë si mendërisht dhe fizikisht për të qenë gati. Ndonjëherë nga situata të tilla lind një forcë e madhe dhe shpresoj që kjo të ndodhë dhe te ne. Futbolli është më shumë një lojë në mendje. Nëse mendërisht nuk je i freskët dhe vuan, këmbët nuk të përgjigjen. Në Bohum bëmë një ndeshje të dobët. Në Salcburg reaguam por sërish nuk ishim të qetë. Për këtë gjë duhet të punojmë. Mendja është faktori kyç.

Ka ardhur Fyrthi në momentin e duhur?

Fyrth ka një ecuri më të mirë në këtë fazë të dytë. Në mbrojtje janë më kompaktë dhe mendoj që nuk do të jetë e lehtë. Nuk preferoj të shikoj renditjen në këto momente. Jemi të dënuar për të fituar të dielën. Çdo rezultat tjetër do të ishte një hap fals dhe do të rrezikonte seriozisht objektivat sezonal. Kjo na vë në presion dhe për këtë jam i vetëdijshëm, por lojtarët e Bajernit janë mësuar të punojnë në kushte të tilla.

Related posts

Etiopi/ Fusha e futbollit kthehet në “betejë lufte”, futbollistë “shkelmojn”…(VIDEO)

Sadik.Autor

VULOSI FITOREN PËR LIVERPOOL/ Super goli i Firminos çmend fansat në rrjetet sociale (VIDEO)

Delo.autor

Figo: Edhe po iku Ronaldo, Real Madridi do të mbetet më i miri në botë

Sadik.Autor

Leave a Comment