Futboll La Liga Sport

HUMBJA NDAJ ATHLETIC BILBAO/ Real Madridi dëm 340-milionësh, tani e kërcënon Myrto Uzuni

Humbja e Realit në Kupën e Mbretit përballë Bilbaos që çoi dhe në eliminimin nga ky kompeticion ka sjellë dhe kritikat e para në adresë të trajnerit Karlo Ançeloti. Shenjat janë shqetësuese dhe kjo është parë dhe në konferencën për shtyp, teksa trajneri italian ka lënë tonin e tij të qetë dhe ka ngritur zërin kur është ngacmuar për treshen Hazard-Bejl-Joviç që nuk luajtën asnjë minutë.

“Përse më pyesni për Bejlin, Hazardin e Joviçin? Përse nuk më pyesni për Sebajosin e Karvahalin që gjithashtu nuk kanë luajtur asnjë minutë? Të gjithë ata që nuk kanë luajtur kanë të drejtën të kërkojnë llogari, kurse ju pyesni vetëm për tre lojtarë”, u ka thënë Ançeloti gazetarëve. Duket qartë se tekniku i Realit është acaruar nga ngacmimet e gazetarëve.

Gjithçka erdhi teksa trajneri i Realit vendosi të aktivizonte nga minuta e parë Viniciusin e Rodrigon që vinin nga angazhimi me Brazilin vetëm 42 orë para Bilbaos.

Në fushë ishte dhe Asensio, pra pa asnjë pykë, ndërkohë që zëvendësuesi natyral i Benzemasë, Joviç, ka qëndruar në stol. Të njëjtin fat e kanë pasur edhe Hazard e Bejl. Praktikisht Ançeloti ka shpërdoruar 261 milionë euro që është vlera që Reali ka shpenzuar për afrimin e treshes në Madrid.

Këtu shtohen dhe 80 milionë euro rroga gjatë këtyre viteve, që e çon shifrën në 340 milionë euro! Formacioni titullar në “San Mames” ishte një dëshmi e faktit se Ançeloti nuk i beson asnjërit prej Joviçit, Hazardit e Bejlit.

BESIMI – Kapriçot e Ançelotit për të aktivizuar lojtarë tepër të ngarkuar fizikisht si Vinicius e Rodrigo – Benzema mungonte i dëmtuar – tregon se tekniku italian ka besim vetëm te një numër i ngushtë lojtarësh. Praktikisht trajneri i Realit u beson vetëm 15 lojtarëve, teksa 10 të tjerë, Isko, Sebajos, Hazard, Joviç, Vajeho, Marcelo, Mariano, Lunin, Bejl e Kamavinga ose kanë role episodike, ose qëndrojnë tërësisht jashtë planeve të tij.

Janë dhjetë lojtarë që çdo klub tjetër do të dëshironte t’i kishte në përbërje, por që Ançelotit duket se nuk i shërbejnë te Reali. Edhe pse ishte vetë Ançeloti që vuri veton e tij për të mos lejuar largimin e tyre në merkato, vazhdon t’i shohë si lojtarë të dorës së dytë.

UZUNI – Pas eliminimit nga Kupa, nuk ka pushim për Realin sepse nesër madrilenët do të zbresin në fushë në La Liga kundër Granadës së Myrto Uzunit. Sulmuesi kuqezi ka ditë që përgatitet për debutimin e madh të tij në La Liga. E diela është në prag dhe ai është gati të kërcënojë Realin.

Related posts

ROMA-JUVENTUS/ Sarri synon fitoren për të rimarrë kreun (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

​Gabigol i përgjigjet De Boer, e thumbon keq

Sadik.Autor

UFC/ Dueli McGregor-Cerrone realizon shitje marramendëse “PPV”

Delo.autor

Leave a Comment