Futboll Sport

MANIPULIMET/ Gjithçka nisi nga Akademia Luftëtari, zbardhet vendimi i gjykatës që pezulloi Asamblenë e FSHF-së

Gjykata ka vendosur të pezullojë garën e FSHF-së në gjithë vendin derisa të shqyrtohen të gjitha shkeljet. FSHF-ja nuk mund të zhvillojë zgjedhjet pa u shqyrtuar të gjitha ankesat në gjykatë duke pezulluar mandatet në FSHF deri në shqyrtimin e manipulimeve. Kështu, i pavlefshëm ka dalë edhe Komisioni i Verifikimit dhe Komiteti Ekzekutiv. Me këtë vendim, mandatet e Armand Dukës, Ilir Shulkut, Koço Kokëdhimes, mbeten të pezulluara deri në një vendim për shkeljet e dyshuara. Po një javë më parë, Gjykata e Tiranës i ka dhënë të drejtë bashkisë së Tiranës, në padinë që ky institucion, në cilësinë e aksionarit në Klubin e Futbollit Tirana, ka ngritur kundër kreut të FSHF-së, Armand Duka.

VENDIMET, PEZULLIMI I KOMISIONIT TË VERIFIKIMIT
Gjykata ka pezulluar çdo veprim të Komisionit të Verifikimit që është i përbërë nga Koço Kokëdhima, Ilirjan Përmeti, Armand Cungu dhe Mikel Furxhi. Ky komision ishte përgjegjës për mbikëqyrjen e gjithë procesit zgjedhor, si atë të asamblesë të 2 marsit, por edhe zgjedhjet në Shoqatat Rajonale të Futbollit, ku dalin edhe gjysma e delegatëve me të drejtë vote për postin e presidentit. Këtë vendim të komisionit FSHF-ja e publikoi më datën 10 janar 2022.

Duke parë shkeljet që janë bërë me zgjedhjet në shoqata, gjithashtu edhe në atë të qytetit të Gjirokastrës, Akademia Luftëtari e ndoqi në rrugë ligjore këtë proces. Kështu që dje Gjykata e Tiranës i dha të drejtë anëtarit të futbollit, duke pezulluar Komisionin e Verifikimit. Të gjitha asambletë që janë bërë në Shoqatat Rajonale të Futbollit në vend, ku kanë dalë edhe delegatët me të drejtë vote, kanë dalë të pavlefshme dhe nuk janë të ligjshme që të dërgojnë delegatë në Asamblenë Zgjedhore të FSHF-së, deri në zgjidhjen e këtij konflikti.

PEZULLIMI I KOMITETIT EKZEKUTIV
Pika e dytë e vendimit ishte pezullimi i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ky komitet më datën 21 janar 2022 u mblodh dhe thirri mbajtjen e Asamblesë Zgjedhore të FSHF-së duke e caktuar që të zhvillohej më 2 mars. Por, gjykata ka rrëzuar dje mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv duke bërë që të mos ketë zgjedhje më 2 mars deri në shqyrtimin e të gjitha ankesave dhe deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

ASAMBLEJA PA KOMISION
Vendimi i gjykatës thotë se është pezulluar veprimtaria e Komisionit të Verifikimit edhe gjatë mbajtjes së Asamblesë. Kështu që ky komision nuk ka më të drejtën që të organizojë apo ushtrojë rolin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së që pritej të mbahej më datën 2 mars. Gjykata pritet që të ruajë rolin e saj, pasi janë një sërë ankesash e padish ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtuesve të saj.

Vendimi i Gjykatës së Tiranës
Ju informoj se kërkesa me nr. 274 Aki, e cila u gjykua nga gjyqtare znj. Fida Osmani me kërkues: Akademia Luftëtari dhe person të tretë: Federata Shqiptare e Futbollit, me objekt: marrjen e masës së sigurimit të padisë ka vendosur:

Pranimin e kërkesës së palës kërkuese.

Marrjen e masës së sigurimit të padisë duke vendosur:
1.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10.1.2022, të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;
2.Pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 21.01.2022, të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë;
3.Pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit me një vendim të formës së prerë.

Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në Gjykatën e Apelit Tiranë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë më datë 17.02.2022.

Related posts

Vizioni i Mou për vitin 2020, Manchester Utd pretendent për gjithçka

Q.Autor

KRISJET ME TRAJNERIN/ Presidenti i Peskarës vendos veton për Memushajn

Delo.autor

SUPERLIGA E KOSOVËS/ Prishtina fiton dhe kryeson e vetme, ndalet Drita. Ja renditja…

Delo.autor

Leave a Comment