Futboll Sport

NGA INIESTA TEK RONALDINHO/ Mahnitën futbollin ndër vite me talentin e tyre, zbuloni yjet që i formoi… futsalli

Më datë 6 shkurt sport dashësit e futsallit (futbollit të sallës) panë Portugalinë të rikonfirmohej për të dytin edicion me radhë si kampione e Europës, në turneun e organizuar në Holandë. 16 kombëtaret pjesëmarrëse ofruan shumë spektakël, teksa në 32 takimet e luajtura u shënuan 175 gola (5.41 mesatarisht për ndeshje).

Lojtari më i mirë u shpall luzitani Ziki Te, ndërsa golashënuesi më i mirë kazakistanasi Birjan Orazov (7 gola). Teknika, shpejtësia në mendim dhe në goditje janë baza dhe çelësi i fitores në futsall dhe jo pak yje të historisë së futbollit kanë dalë pikërisht nga parketi. Disa prej emrave janë mahnitës dhe kanë histori fantastike, ndonëse tani mund të kuptohet më qartë edhe arsyeja e vizionit të tyre perfekt në fushat dhe stadiumet më të mëdha ndër vite.

RONALDO DE LIMA
E pabesueshme, por e vërtetë… Le ta nisim me një prej më të mëdhenjve dhe ndoshta me historinë më të çmendur. Ronaldo Luiz Nazario de Lima, apo siç të gjithë më pas e njohën si “Fenomeni”, e ka nisur karrierën në futboll jo vetëm në futsall, por edhe si portier për më tepër.

Në moshën 10-vjeçare, skuadra Valkeire pati idenë gjeniale që të vinte mes shtyllave të riun Luiz Nazario.

Sigurisht që kjo duroi shumë pak… Brenda pak seancave stërvitore dhe të gjithë kuptuan se atij djaloshi duhej t’ia vije topin mes këmbëve dhe jo mes duarve.

Pasi ndërroi rol, që në ndeshjen e parë Ronaldo i realizoi 4 gola Vasko da Gamës. Dy vite më pas, trajneri dhe zbuluesi i talenteve, Fernando Karvajo, e mori në ekipin e Social Ramos (sërish futsall) ku impakti ishte një çmenduri: 166 gola sezonalë.

Kjo shifër tërhoqi edhe interesimin e skuadrave të mëdha të futbollit, me San Kristovaon që e thirri që të luante 11 kundër 11 me të rinjtë, më pas shpërthimi te Kruzeiro që i hapi dyert e Europës dhe më pas pjesën tjetër të historisë e njohin pak a shumë të gjithë.

Madje, vetë Ronaldo gjithmonë e ka kujtuar dhe e ka përsëritur deri në ditët e sotme se sa futbolli i sallës ka qenë i rëndësishëm për formimin e tij teknik.

“Për të luajtur i sigurt në fushë nevojiten këmbë ekstremisht të mira, pasi vetëm kështu mund të dalësh fitues ndaj kundërshtarit në zona të ngushta. E adhuroja të luaja në një fushë aq të vogël në futsall, pasi pikërisht në hapësira të vogla të lind në kokë të bësh gjëra madhështore”.

ANDRES INIESTA
Vizion loje jashtë normales, topin e ngjitur si me magnet në këmbët e tij dhe një kapacitet i paparë për të kaluar sferën dhe veten në hapësira ku dukej e pamundur që të kalonte diçka. Këto karakteristika mund t’i përshtaten vetëm një personi, Andres Iniestës…

Në fillim i ushtroi e më pas i trajnoi cilësitë e tij në parketet e futsallit, konkretisht në fushën e Fuentealbijas, ku spanjolli mësoi jo vetëm kontrollin e topit me kërcim, por mësoi të përballonte dhe të ushtronte që i vogël presionin mbytës të futsallit, që nuk të lejon oksigjen në mushkëri për 40 minuta me radhë.

Dhe ndoshta këto cilësi që i mësoi në futsall e ndihmuan Iniestën që të ishte një prej protagonistëve të asaj Barcelone me Pep Guardiolën në stol e cila fitoi dhe rifitoi gjithçka. Aq sa në vitin 2013, Iniesta ishte edhe protagonist i një sporti publicitar të kompanisë “Nike”, në të cilin ai tregonte dashurinë e tij për futsallin.

“E nisa duke luajtur në zona të ngushta, gjithçka nisi ashtu… Të luaj futsall tani më kthen në rrënjët e mia. Në zonat e ngushta duhet të gjesh mënyrën për të dalë, madje çdo herë duhet të gjesh një zgjidhje të ndryshme, sepse të jesh i lexueshëm, i parashikueshëm për rivalin do të thotë se e ke të sigurt humbjen. Prandaj, çelësi është të provosh, të rrezikosh, të mësosh me shpejtësi se zotërimi i topit është gjithçka për të pasur sukses”.

KSAVI HERNANDEZ
Nëse flitet për Iniestën, Barcelonën dhe stilin “tiki-taka”, nuk ka se si nuk mund të nominosh edhe protagonistin tjetër të mesfushës. Edhe Ksavi Hernandez, si “hija e tij” Iniesta, ka mbetur shumë i lidhur me futbollin me 5 vetë në parket.

“Në futsall kuptohen detajet e vërteta se sa klas, cilësi dhe inteligjencë taktike ka një futbollist. Ndoshta në futbollin normal nuk arrihet të identifikohet talenti deri në fund, sepse është një sport më fizik. Në futsall ndërkohë dallohet gjithçka dhe në mënyrën më të qartë, nëse dikush ka talent apo jo”, ka nënvizuar trajneri aktual i Barcelonës, në një intervistë për UEFA-n.

NEJMAR
Si shumë brazilianë të kësaj gjenerate (dhe asaj të mëparshme), edhe Nejmar e ka nisur që të luajë futsall në shkollë. “Betinjo”, zbuluesi i tij, u mahnit teksa shihte sulmuesin aktual të PSG-së të bënte numra cirku që në moshën 8-vjeçare në një fushe futbolli me 5, teksa përfaqësonte skuadrën e Klub Gremetal.

Një dashuri kjo që Nejmarit nuk i është shuar ende, pavarësisht kalimit në futbollin modern: “Futsalli të ndihmon shumë, sepse të mëson që të mendosh me shpejtësi. Është një lojë më dinamike dhe stërvitja ideale për të qenë i përgatitur për futbollin e sotëm, sidomos në Europë, ku nuk ka shumë hapësira për të lëvizur.

Gjithmonë më ka pëlqyer futsalli, por fatkeqësisht m’u desh që të hiqja dorë, për t’u përqendruar totalisht dhe ekskluzivisht te futbolli normal”, shprehej në kohën e Barcelonës Nejmari.

Braziliani ka mbajtur një marrëdhënie solide miqësore me Falkaon, yllin e “Seleçaos” të futsallit, kampione bote në vitin 2008 dhe 2012. Akoma më shumë se kaq… Një prej agjencive të Nejmarit është edhe “Neymar Jr’s Five”, e cila organizon shpesh iniciative bamirësie me temë futsallin apo edhe futbollin e rrugës.

RONALDINJO
Nëse Nejmari organizon iniciativa bamirësie, ndërsa të tjerë janë larguar, ka edhe nga ata si Ronaldinjo, që pasi e kanë nisur me futsallin si shumë të tjerë, kanë vendosur që të rikthehen të luajnë, pas lamtumirës nga futbolli normal.

Ish-fantazisti në moshën 37-vjeçare firmosi dhe veshi bluzën e Delhi Dragons, skuadrës indiane të futbollit me pesë, me të cilën shënoi 16 gola në 8 ndeshje, përpara se ta mbyllte përfundimisht lidhjen e tij me topin.

“Mënyra dhe stili i lojës sime vjen nga futsalli. Luhet në një hapësirë shumë të vogël dhe kontrolli i topit është shumë i ndryshëm. Unë, edhe pasi kalova në futbollin normal, ruajta të njëjtën prekje topi që kisha në futsall, pasi ajo bën diferencën sidomos në fushat e mëdha”, tha Ronaldinjo pas transferimit të tij në Indi, pesë vite më parë.

LIONEL MESI
Edhe “Pleshti”, si shumë të tjerë, e ka nisur nga futsalli në vegjëli. “Në Argjentinë luaja për klubin tim, përveçse në rrugë e me shokët dhe ishte tmerrësisht dëfryese. Më ka ndihmuar vërtet shumë që të bëhem ai që jam sot”.

Nuk është i pari dhe nuk do të jetë pa dyshim as edhe i fundit që pranon diçka të tillë. Shenjë kjo se futsalli është një sport që shton ndjeshëm dozën teknike të një lojtari që kërkon të jetë fenomenal në futbollin normal.

KRISTIANO RONALDO
Si gjithmonë, ku është Mesi, nuk mund të mungojë as Kristiano Ronaldo, që për më shumë, në të njëjtën intervistë të lëshuar për UEFA-n, ka thënë gjëra shumë të ngjashme me ato që pati deklaruar edhe rivali i tij, argjentinas.

“Kur isha i vogël, në Portugali luhej vetëm futsall. Fusha me përmasa të vogla më ka lejuar që të përmirësoj kontrollin e topit, por mbi të gjitha sa herë që luaja 5 kundër 5, ndihesha i lirë. Nëse nuk do të kishte qenë për praktikimin në futsall, e sigurt se sot nuk do të isha lojtari që të gjithë ju njihni tashmë”.

ZHORZHINJO
Në moshën 11-vjeçare, Zhorzhinjo stërvitej në plazhin e Imbitubas, me mamanë Maria Tereza, ndërsa në fundjavë luante në futsall. Nga aty nisi edhe kapaciteti i tij për ta “parë” lojën si pak në qarkullim, aq sa një prej mësuesve të tij të parë, Mauro Bertaçini, e dalloi këtë potencial tek italo-braziliani:

“Kur erdhi te ne, haste vështirësi edhe në kontrollin e sferës, jo vetëm në të kryerit palexho e gjëra të tjera më të mëdha. Ishte mësuar që të luante futsall dhe në plazh dhe ishte e vështirë që t’ia hiqje nga mendja se në futbollin normal topi stopohet me shputën e këmbës. Prandaj, me Zhorzhinjon m’u desh që ta nisja gjithçka nga e para, ndonëse për sa i përket teknikës dhe vizionit, ishte diçka, ishte një talent që e pat të lindur”.

TË TJERËT
Mes yjeve të tjerë të mëdhenj aktual, edhe Kutinjo e pati nisur dhe e zgjati shumë gjatë madje karrierën e tij:

“Nisa të luaja futsall në moshën 6-vjeçare me Klube Serxhente do Rosha, kalova te Mangueira e më pas te Vasko da Gama, kur qëndrova deri në moshën 13 vjeç. Më pëlqente dhe nëse nuk do të kishte qenë se një prej trajnerëve të mi më tha se koha po më kalonte, vetëm atëherë vendosa të heq dorë nga dashuria për futsallin dhe më pas të kaloj e të përqendrohem te futbolli normal”.

Yje në vegjëli të futsallit kanë qenë edhe ish-mesfushori i Napolit, Alan, juventini Duglas Kosta, Uillian apo edhe Hulk, i cili kundër të tjerëve i kërkoi ndihmë futsallit që të mund të luante në futbollin normal:

“E nisa me futbollin normal, por nuk kisha cilësitë e duhura. Nuk dija të kontrolloja topin dhe një prej trajnerëve të mi më dha që për 2-3 vite të hiqja dorë nga futbolli normal dhe të praktikoja futbollin me 5. Pati të drejtë, sepse duke luajtur në hapësira të vogla jo vetëm mësova ta kontrolloj, por edhe ta dominoj sferën…

Të dija të dilja në shpejtësi nga situata të vështira dhe nga markimet e ngushta. Nëse sot njihem në të gjithë botën, merita ishte vetëm e futsallit”, shprehej ish-sulmuesi i kombëtares së Brazilit.

Related posts

FORMACIONET/ Milani i pamposhtur në San Siro kundër Juventusit të pathyeshëm në Serie A

Isa.Autor

DYBALA NUK PASKA SHIJE/ Ja çfarë BUKUROSHE SESKI ka humbur “LA ROYA” (FOTO)

Isa.Autor

BECKAM PËRGATIT GODITJEN E RADHËS/ Inter Miami kërkon një tjetër kampion bote pas Matuidi

Delo.autor

Leave a Comment