Futboll Sport

SFIDA CHAMPIONS NDAJ VILLARREAL/ Sulmi i katërt më i mirë, treshja Vlahovic-Dybala-Morata jep shpresa

Herën e fundit që Ju ventusi pushtoi Europën, ndonëse ai kujtim tashmë i përket një çerekshekulli më parë, e bëri duke përdorur një tredhëmbësh puro, aq sa Aleks del Piero, Xhanluka Viali dhe Fabricio Ravaneli mbeten për shumë vite me radhë pa pasardhës.

Ose të paktën deri në janar të vitit 2022, ku pas mbërritjes së Dushan Vlahoviçit, lëvizja e bërë nga trajneri Masimiliano Alegri ishte ajo e hedhjes së një artilerie të rëndë në fushën e lojës, bashkuar me Paulo Dibalën dhe Alvaro Moratën.

Nëse faza e parë e sezonit la shumë për të dëshiruar dhe bardhezinjtë hodhën shumë shpejt në erë shanset për titullin kampion, faza e dytë ka rinisur në mënyrën më të mirë të mundshme, sepse blerja 80 milionë euroshe e merkatos së dimrit ka bërë që e gjithë skuadra të marrë eufori, por mbi të gjitha të nisë të shprehë që në fillim një futboll ultra-ofensiv, duke parë fuqinë e madhe goditëse të shprehur kundër Veronës, Sasuolos në Kupën e Italisë, por edhe ndaj Atalantës, pavarësisht se në fund erdhi vetëm një barazim 1-1.

“Zonja e Vjetër” papritur e ka parë veten që nga një skuadër e cila dërgonte pak lojtarë në zonën rivale, sivjet ta nisë vitin me një ekip që bën presing shumë lart, por që në të njëjtën kohë godet me shpeshtësi kuadratin e kundërshtarëve.

Madje, nëse analizon jo vetëm stilin e ri të lojës së urdhëruar nga trajneri i torinezëve, por edhe numrat e tredhëmbëshit aktual, 40 gola së bashku (Vlahoviç 21, Dibala 11 dhe Morata 8, Juventusi e pret me shumë optimizëm rifillimin e “gjuetisë” në Champions.

Fundja, mjaftojnë këto shifra për të kuptuar se nga 16 ekipet e mbetura në Ligën e Kampioneve, italianët kanë sulmin e katërt më të mirë në Europë dhe shpresat për të avancuar edhe më tej sesa pengesa Vijareal në 1/8-at, janë mjaft të mëdha.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Juventusi duhet të mjaftohet të numrat e tre sulmuesve të tij për ta pritur me qetësi duelin me spanjollët dhe ta ketë të garantuar jo vetëm kualifikimin, por nëse në Europë fiton gjithmonë ai që shënon më shumë, pa dyshim që “Zonja e Vjetër” duket në një situatë mjaft optimiste për të ardhmen.

Të martën të gjithë pamë në aksion PSG-në që shkatërroi Realin e Madridit dhe të mendosh se parisienët me trion e tyre Mbape-MesiNejmar janë shumë herë më prapa repartit Vlahoviç-Dibala-Morata, duke qenë se francezët kanë shënuar në total në këtë sezon vetëm 32 gola, tetë më pak sesa bardhezinjtë.

Ana tjetër e medaljes thotë se edhe Reali që ka shënuar një gol më shumë sesa Juventusi me tre sulmuesit e tij, Benzema-Vinicius-Rodrigo të dorëzohet pa kushte nën kullën “Eiffel”.

Superfuqia e kontinentit të vjetër për momentin është Bajerni i Mynihut me 59 gola që ka sjellë trion Levandovski-MylerGnabri, e ndjekur nga Liverpuli me 50, dy skuadrat jo më kot favorite për të fituar Champions-in sivjet, por që të paktën nga aspekti i forcës ofensive Juventusi nuk ka pse t’i trembet.

Tani pritet vetëm që numrat t’i japin të drejtë “bandës” së Alegrit, të martën në Spanjë.

Related posts

FLET PËR DY LOJTARËT NË “RADARIN” E JUVENTUSIT/ Dybala thur elozhe: Këta talentet më premtues të…

Delo.autor

KATËR HERË “TRULLOSJE”/ Messi sapo i “shkatërroi” karrierën mbrojtësit të Man. United (VIDEO)

Delo.autor

Shqipëria luan me Izraelin/ Një vizitor special ndjek kuqezinjtë në stadium

Isa.Autor

Leave a Comment