Futboll Sport

ASNJË KLUB SI ATA NË ANGLI/ Perandoria e Abramoviç, sa shumë trofe në 19 vite tek Çelsi (TABELA)

Pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, konfirmoi të mërkurën se ka nxjerrë klubin në shitje pas 19 vitesh. Pasi e bleu për vetëm 140 milionë paund (150 milionë euro) në vitin 2003, miliarderi rus i ktheu në një makineri fituese. Asnjë klub anglez nuk ka fituar më shumë trofe sesa blutë që prej blerjes së klubit nga 55- vjeçari.

Në deklaratën e zyrtarizimit të procesit të shitjes, Abramoviç tha se ishte në interesin më të mirë të klubit vendimi që ai ka marrë, duke marrë parasysh sanksionet që po vendos perëndimi ndaj oligarkëve rus pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. 3 miliardë paund (3.3 miliardë euro) kërkon Abramoviç nga shitja, ndërsa klubit i ka dhënë një borxh prej 1.5 miliardë paundësh (1.8 miliardë euro), të cilin njoftoi se nuk do ta kërkojë mbrapsht.

Për më tepër, premtoi se fitimin nga shitja do ta japë për viktimat e luftës në Ukrainë. Përfundon një epokë në “Stamford Bridge” me tifozët që kanë frikë nga ajo që e pret tani klubin. Sepse Abramoviç nuk ishte thjesht pronari i Çelsit, por edhe një tifoz i apasionuar pas skuadrës së tij.

Ai do të mbahet mend se u ka treguar derën shumë trajnerëve gjatë këtyre dy dekadave, por edhe ka fituar një numër rekord trofesh, i fundit prej të cilëve Kupa e Botës në Abu Dhabi muajin e shkuar. Roman ka investuar mbi 2 miliardë paund në merkato, ndërsa rekordin e blerjes e vendosi në verë kur riktheu Romelu Lukakun (97.5 milionë paund).

Kai Haverc (89 mln paund) është blerja e dytë më e shtrenjtë, ndërsa 72 milionë paundët e shpenzuara për Kepa Arrizabalagën, e bënë spanjollin portierin më të shtrenjtë të historisë. Alvaro Morata (70 mln), Kristian Pulisiç (58 mln), Zhorzhinjo (57 mln) dhe Fernando Torres (50 mln paund) nuk erdhën lirë në “Stamford Bridge”.

Timo Verner (47.5 mln), Ben Çiluell (45 mln) dhe Mateo Kovaciç (40 mln) plotësojnë listën e 10 blerjeve më të shtrenjta të rusit. 13 trajnerë të ndryshëm (17 në total përfshirë edhe ata provizorët) në 19 vite përbëjnë një rekord në Angli, ndërsa ai ia besoi skuadrën disa prej emrave më të mëdhenj në botë.

Murinjo dhe Hidink ishin të përzgjedhurit që patën shansin ta drejtojnë skuadrën nga dy herë. Por në “Stamford Bridge” u ulën edhe Ançeloti, Konte dhe Benitez. Në total, Çelsi luajti 1.087 ndeshje nën pronësinë e rusit, që fitoi 660 dhe barazoi 237. Vetëm 190 humbje në 19 vite, një mesatare vetëm 10 humbje në vit në të gjitha kompeticionet.

Në këto 1.087 ndeshje, blutë shënuan 2.049 gola dhe pësuan 957, me një përqindje fitoreje (60.7%). Por tani Abramoviç ka nisur të lëshojë litarët. Njeriu më i pasur i Zvicrës, Hansjorg Vis, është një nga kandidatët e interesuar, por në skenë ka dalë edhe emri i miliarderit britanik, Xhim Retklif.

Related posts

AXHENDA E JAVËS 21 NË SUPERIORE/ Takimet luhen në dy ditë, ja datat dhe oraret e ndeshjeve

Delo.autor

PËRFORCIMI I RADHËS PËR SARRIN/ Mbërrin në “J Medical” blerja më re e Juventus… (VIDEO)

Delo.autor

Çikalleshi feston golin e parë me Goztepe, skuadra e tij merr fitore të thellë (VIDEO)

Isa.Autor

Leave a Comment