Futboll Seria A Sport

“DUA NJË SHANS NGA KSAVI”/ Rëfehet Rei Manaj: Ëndërrojmë për Botërorin, por duhet të dimë se jemi…

Rei Manaj bëri bujë verën e kaluar. Në mungesë të përforcimeve të mëdha, golat e tij bënë që Ronald Kuman të shihte te shqiptari një lojtar interesant për të kompletuar Barcelonën.

Manaj kishte treguar në fazën përgatitore se mund të kontribuonte, teksa klubi pa tek ai mundësinë për të fituar parà përballë krizës së rëndë ekonomike. Sulmuesi pranoi të largohej në Serinë A te Specia, ndërsa tashmë rikthehet në Barcelonë, por këtë e bën për të përfaqësuar Shqipërinë në miqësoren ndaj Spanjës.

Dje Manaj pranoi të flasë për gazetën spanjolle, “OKDIARIO”, duke u shkëputur pak nga përgatitjet që skuadra po zhvillon në Girona. Ai kërkon një shans të dytë te katalanasit, duke treguar se do të mundohet të bindë trajnerin Ksavi.

Rei, një ndeshje speciale dhe kthim në Barcelonë…

Është një ndeshje shumë e bukur për t’u luajtur, do të ishte më mirë të ishte kualifikuese, por do të na ndihmojë të fitojmë besim përpara Ligës së Kombeve.

Spanjën e pret një atmosferë e mrekullueshme. Kanë kaluar 18 vjet që kur nuk luan në Barcelonë dhe njerëzit duan ta shijojnë…

Spanja është një nga skuadrat më të mira në botë. Kur ka lojtarë të këtij niveli është normale që tifozët të kenë dëshirë dhe stadiumi të jetë plot.

Si është Kombëtarja shqiptare?

Ne jemi një ekip që është rritur mjaft në vitin e fundit. Na mungon pak eksperienca, sepse jemi kualifikuar vetëm një herë në Europian. Jam i sigurt se çdo vit do të jetë më i bukur, sepse kemi lojtarë të rinj që po bëjnë mirë. Thjesht duhet të bëjmë një hap të vogël përpara për të arritur në një Botëror.

Ju jeni një nga lojtarët më të rëndësishëm në ekip?

Nuk është si në klub, në Kombëtare të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Trajneri me siguri do të testojë lojtarët në këtë miqësore. Të gjithë duhet të kontribuojnë.

Çfarë do të thotë për ju të përfaqësoni vendin tuaj?

Shqipëria është një shtet i veçantë që jeton me futbollin dhe kur gjërat shkojnë keq, njerëzit kritikojnë shumë. Nuk mund të sulmosh skuadrën kur humbet nga Anglia ose të thuash se jemi të gjithë keq për humbjen ndaj tyre. Duhet të dimë se jemi një ekip i vogël. Në Shqipëri ndihet shumë Kombëtarja. Është një ëndërr që e kam pasur që i vogël dhe është realizuar.

Çfarë ka ndryshuar te Manaj nga Interi deri tani?

Kam ardhur shumë i ri dhe kam debutuar kur isha 17 vjeç. Kam luajtur shtatë ose tetë ndeshje. Tani jam pjekur shumë dhe në nivel profesional jam i lumtur me atë që kam bërë te Barcelona dhe gjithashtu te Specia.

Jeni i lumtur te Specia?

Jam shumë i lumtur, megjithëse skuadra nuk krijon shumë raste shënimi. Nuk është si në Barcelonë, ku mund të kesh pesë ose gjashtë raste për ndeshje. Duhet të jemi të vetëdijshëm se po luftojmë për të mos rënë nga kategoria dhe është normale që të ketë ndeshje ku luan në mbrojtje.

Keni edhe një vit kontratë me Barçën…

Kam pasur mundësinë të rinovoj para se të largohem për të mos u rikthyer në vitin e fundit të kontratës, por tani mendoj vetëm të mbyll mirë sezonin me Specian për të përmbushur objektivat kolektivë dhe individualë.

Kuman donte që të qëndronit në ekip…

Kam folur me trajnerin dhe klubin dhe ata më afruan në ekipin e parë, por më pas u transferova për të pasur më shumë rëndësi. Meqenëse kishte shumë sulmues të mirë, dola për të treguar se çfarë mund të bëj. Jam i kënaqur me vendimin që kam marrë. Le të shohim kur të mbarojë sezoni, pasi mund ta nis fazën përgatitore në Barcelonë dhe le të vendosë trajneri Ksavi nëse mund të qëndroj.

Barça ka ndryshuar shumë. Duket se me Ksavin ekipi po funksionon…

E pashë “Klasiken” dhe mund të kishte përfunduar me më shumë gola diferencë. Është rikthyer të jetë Barcelona e viteve të kaluara dhe jam shumë i lumtur, sepse është një ekip që meriton të jetë gjithmonë në krye. Me Ksavin lojtarët janë më të lirë në mendje dhe kjo duket në fushë dhe në rezultate.

Ju mund të ktheheshit në La Liga që në janar?

Kam pasur disa kontakte dhe përfaqësuesit e mi kanë pasur oferta nga disa ekipe, por nuk më pëlqeu të ndryshoj vendin në janar. Thjesht dua ta mbyll sezonin me Specian dhe më pas të shohim çfarë do të ndodhë.

Related posts

BËN PARASHIKIMIN/ Allegri: Këto janë 5 skuadrat favorite për Champions League

Delo.autor

Pas eliminimit nga Champions, PSG zbulon të ardhmen e Neymarit

Q.Autor

Manchester City ngre zyrtarisht trofeun e Premier Leagues (FOTO)

Sadik.Autor

Leave a Comment