Futboll Kategoria Superiore Sport

PIKANTET E VLLAZNIA-TIRANA/ Bardheblutë shpërblim për fitoren, trajneri Brdariç kapet me gazetarët

Tirana mundi me përmbysje 1-2 Vllazninë në Shkodër, në një ndeshje të çmendur. Ekipi i Orges Shehit thellon distancën me ndjekësit e Laçit dhe është me një dorë tek titulli kampion. “Panorama Sport” ju sjell pikantet e ndeshjes në Shkodër.

– “Vllaznit Ultras” kanë qenë të shumtë në numër. Ndërsa një numër prej afro 50 tifozësh nga kryeqyteti kanë ndjekur nga afër ekipin e tyre të zemrës.

– Një mbipopullim i tribunës C5 në “Loro Boriçi”. I njohur si sektori i ultrasve ishte më i populluar se zakonisht.

-Një superpankartë e tifozëve të Vllaznisë që paralajmërojnë të gjithë se tashmë ata janë rikthyer.

– Irritim i drejtuesve të Tiranës me gjyqtarët në rastin e shënimit të golit të dytë nga Aralica, i cili u ndal si pozicion jashtë loje.

-Një pozicion ri për Fallou Dianjen. Qendërmbrojtësi senegalez shihet në pozicionin e mesfushorit para mbrojtjes, në dyshe me Krymin.

– Xhonglon me topin në minutën e 20-të trajneri Brdariç.

– Nuk kanë qëndruar për asnjë moment në stol të dy trajnerët respektivë.

– Pavarësisht humbjes së 11-metërshit, tifozët kanë thirrur në kor emrin e Latifit.

– Dekor i mrekullueshëm i “Power 12” me shalle dhe flamujt dyngjyrësh kuqeblu. Nuk kanë munguar as fishekzjarrët dyngjyrësh.

– Dianje që në minutën e 62-të kërkon ndërrim, trajneri nuk është i këtij mendimi, por e ndërron lojtarin sapo Vllaznia ndëshkohet me golin e dytë.

– Në të 76-ën minutë ka tension në fushë dhe në pankinën e kuqebluve Jorgji i fal një karton të verdhë Behiratçes, i cili ndali Gjurgjeviçin në mënyrë të parregullt. Protestat sjellin kartonin e verdhë për Brdariçin.

– Një grindje në fund mes Aralicës dhe Behiratçes. Sherri shuhet shpejt nga anëtarët e dy skuadrave.

– Festë e çmendur te lojtarët dhe stafi i Tiranës, kjo e reflektuar gjatë hyrjes dhe e vazhduar deri në dhomat e zhveshjes

– Tre tifozë të Vllaznisë shoqërohen nga policia. Ata kishin thyer kordonin e forcave të sigurisë duke iu drejtuar tifozëve kryeqytetas. Ka qenë ndërhyrja e policisë që ka shoqëruar tre tifozët kuqeblu. Tifozët shkodranë i janë bindur policisë vendase për shoqërimin e tyre, por edhe duke i thënë se nuk ishte i drejtë ndalimi i tyre.

– Trajnerin Brdariç e tradhtojnë nervat në konferencën për shtyp për mediat e Shkodrës, pas një pyetjeje nëse ndihet i rrezikuar pas kësaj humbjeje. Ai largohet i nevrikosur duke u shprehur se çfarë është kjo pyetje.

“Duhet të jeni të kujdesshëm me këtë pyetje. Po punojmë prej një viti e gjysmë këtu. Kemi ndërtuar këtu një Vllazni të re, jemi shumë konkurrues. Dhe një humbje ndaj Tiranës që mendoj se do të shpallet kampione dhe më pyesni a do të shkarkohem!

“Çfarë është kjo? Çfarë është kjo pyetje? Më thuaj të lutem se çfarë është kjo pyetje? Se unë e di se sa e vështirë është të punosh këtu. Nëse dikush më pyet a jam apo jo në gjendje më të punoj, atëherë mund të jap këtë përgjigje.”

Por të më pyesësh nëse rrezikoj të shkarkohem pas një humbjeje ndaj Tiranës, më duket pak e tepruar. Më falni”, tha Brdariç duke u larguar menjëherë dhe duke lënë në mes konferencën e tij, dukshëm i nervozuar.

– Tirana në fund të ndeshjes nuk ka dalë vetëm me tri pikët. Mësohet se drejtuesit e Tiranës kanë shpërndarë një premio për futbollistët bardheblu.

– Ante Aralica do të mungojë në sfidën që Vllaznia luan këtë javë me Egnatian. Kuqeblutë humbasin lojtarin kryesor të repartit të sulmit.

– Në sfidën me Dinamon mungon për Tiranën Filip Najdovski që humbet takimin për shkak kartonësh. E njëjta histori edhe për Ëngjëll Hotin. Me tre kartonë janë Hoxhallari, Behiratçe, ndërsa në skuadër kthehen Totre dhe Toshevski.

Related posts

LAJMI I FUNDIT/ Milik-Dzeko, dita vendimtare për Roma dhe Juventus

Delo.autor

EUROPIANI NIS ME TURQI-ITALI/ “Axurrët” favoritë absolutë. Nuk kanë humbur kurrë

Delo.autor

LIVE/ Kukësi-Tirana: Verilindorët kalojnë në avntazh me sulmuesin Reginaldo

Isa.Autor

Leave a Comment