Futboll Sport

RASTI LEVANDOVSKI/ Shqetësim te Barcelona, katalanasit do ta ruajnë me…

Vjedhja ose më saktë grabitja e orës së Robert Levandovskit, teksa ishte duke dhënë autografe për tifozët, ka shënuar rastin e radhës të incidenteve të ndodhura në klubin e Barcelonës në kohët e fundit.

 

Këtë herë Leva ka qenë me fat, pasi ka mundur të rikuperojë orën e vjedhur nëpërmjet forcave të sigurisë që patrullojnë ambientet e klubit katalanas.

Por natyrisht që episodi në vetvete nuk ka kaluar pa u komentuar në mbarë mediat botërore dhe që ka shqetësuar jo pak klubin katalanas.

Jo rrallë, lojtarët dhe stafi i Barcelonës janë përballur me situata të pakëndshme në dyert e qendrës stërvitore të ekipit, por këtë herë duket se vija e kuqe është kaluar.

Ngjarja e ndodhur me Levandovskin të enjten paradite ka shumëfishuar zemërimin e lojtarëve dhe shqetësimin për pasigurinë në rritje në një zonë publike që nuk varet drejtpërdrejt nga klubi katalanas.

Lajmi për grabitjen e Levës u përhap në mënyrë të rrufeshme në rrjetet sociale, duke arritur në mediat më prestigjioze europiane dhe kjo e ka dëmtuar jo pak imazhin global të Barcelonës. Tashmë në klub kanë nisur të mendojnë për të shtuar masat e sigurisë në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten.

Grabitja e Levës mund të shënojë një pikë kthese, deri në atë pikë sa akumulimi i incidenteve të ndodhura në afërsi të qendrës stërvitore të Barçës ka mbërritur tashmë në tryezën e kabinetit të kryesisë së klubit, i cili po merret me këtë çështje për të shmangur më shumë situata të këtij lloji.

Siç bën me dije gazeta spanjolle “Mundo Deportivo”, Barcelona po planifikon një dialog të shtuar me policinë spanjolle dhe forcat e sigurisë së policisë bashkiake.

“MD” ka informuar se hyrja dhe dalja e lojtarëve është një çështje për të cilën po punohet prej kohësh nga policia vendore. Departamenti i Sigurisë së Barçës, me Luis Mikel Venteo në krye, ka lënë të kuptohet se nuk ka tagër ligjor për të vendosur forca sigurie shtesë në një ambient publik, pasi ato janë përgjegjësi e policisë nacionale spanjolle dhe asaj bashkiake të qytetit të Barcelonës.

Por Barcelona shpreson të arrijë në një marrëveshje me policinë spanjolle për të shtuar forcat e sigurisë pranë dyerve të klubit. Në kohët e fundit, grumbullimet e tifozëve në kërkim të një fotoje apo autografi kanë provokuar trazira dhe kjo gjë ka shkaktuar zemërimin e lojtarëve të Barcelonës, të cilët nuk ndihen të qetë e të sigurt, teksa nuk kanë munguar as incidentet.

Lojtarët e Barçës, siç raporton “Mundo Deportivo”, janë irrituar edhe më shumë pas grabitjes së Levandovskit.

Para tij, ishte Samuel Umtiti, më 1 dhjetor 2021, i cili u detyrua të dilte nga makina për t’u konfrontuar me tifozët, që po i gjuanin makinës së tij.

Një situatë e tillë e pakëndshme u shënua edhe në tetorin e vitit të kaluar me ish-trajnerin Ronald Kuman, që u sulmua nga tifozët pas humbjes në “Klasike”, teksa ishte në makinë me familjen e tij.

Related posts

FSHF ME NJOFTIM ZYRTARE/ Shtyhen ndeshjet e Kategorisë së Parë dhe të Dytë

Delo.autor

“EKZISTON NJË EVOLUCION NË FUTBOLL”/ Maldini: Ibrahimovic mori përgjegjësitë, ja si veproj në merkato…

Delo.autor

“EURO 2020″/ Pjesa e dytë nis zjarr, Perisic ndëshkon Çekinë me një SUPER GOL (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment