Futboll Sport

I MJAFTUAN VETËM 244 NDESHJE/ Haland arrin 200 gola më shpejt se Messi dhe Ronaldo

Erling Braut Haland nuk resht së çudituri me fanellën e Mançester Sitit, në një sezon të parë që është i denjë për të përfunduar nëpër kopertina. Në suksesin 4-1 ndaj Sauthemptonit në fundjavë, sulmuesi norvegjez e dërgoi në 30 numrin e golave të tij në Premier Ligë, por mbi të gjitha shënoi edhe golin numër 200 në karrierën e tij në 244 ndeshje të luajtura.

Janë shifra përbindëshi për “pykën” e “qytetarëve”, i cili e arrin një shifër të tillë përpara atyre që kanë dominuar futbollin gjatë dy dekadave të fundit, Lionel Mesit (në moshën 22-vjeçare kishte shënuar “vetëm” 120 gola) dhe Kristiano Ronaldos (85 gola).

Dyqind gola, shifër e pabesueshme për futbollistin norvegjez të lindur në Lids në vitin 2000 dhe që në Mançester ka shënuar 44 gola këtë sezon në të gjitha kompeticionet.

Përveç këtyre, me kampionët e Anglisë, janë edhe 20 me klubin norvegjez të Moldes, 29 me austriakët e Salcburgut dhe 86 me gjermanët e Borusias së Dortmundit. Dhe këtyre u shtohen edhe 21 golat me fanellën e kombëtares norvegjeze.

NË HISTORI – Në histori, ai është lojtari i gjashtë më i ri që arrin 200 golat pas Pelesë, Ronaldo Nazarios, Ferenc Pushkashit, Euzebios dhe Nejmarit. Ka shënuar me kokë, me të djathtën, të majtën madje edhe në akrobaci (siç ishte goli i tij i dytë të shtunën kundër Sauthemptonit).

Repertori i norvegjezit është i pasur dhe i plotësuar. Dhe me dopietën kundër “shenjtorëve”, janë 30 gola në vetëm 27 ndeshje këtë kampionat.

Numrin më të lartë të golave gjatë një sezoni të Premier Ligës e mban Mohamed Salah me 32 (2017-’18). Por ende me nëntë ndeshje në dispozicion, Halandi kërkon të bëjë pluhur dhe hi rekordin e egjiptianit dhe jo vetëm të yllit të Liverpulit.

Tashmë ai është vetëm 5 gola larg rekordit historik të Endi Kolit (1993-’94) dhe Alan Shirerit (1994-’95), 34 gola gjatë një sezoni në Premier Ligë, por atëherë sezoni nuk kishte 38 javë, por 42.

I pyetur pas fitores nëse tashmë Haland është në nivelin e Kristiano Ronaldos dhe Mesit, trajneri Pep Guardiola u përgjigj: “Për sa i përket shënimit të golave, ai është shumë i ngjashëm me Kristianon, por Mesi është lojtar më i kompletuar. Mesi mund të luajë kudo, ndërsa Kristiano dhe Erling janë më shumë makineri. Erling e di që këta djem dominuan mbi dy dekada jo vetëm një apo dy sezone, duke fituar tituj dhe bërë gjithçka”.

Related posts

“ASGJË NUK NDRYSHUAR”/ Barcelona nxiton Dembele: Oferta është aty, duhet zgjidhje sa më shpejt

Delo.autor

“NA DËRGOI LETËR MBRETËRESHA”/ Trajneri Southgate: Nuk dua ta dëgjoj “It’s coming home” sepse…

Delo.autor

ROMA DHE LAZIO DËSHTOJNË/ De Ketelaere “ngjallet” me Atalanta

F.autor

Leave a Comment