Ai flet për kalimin nga PSG-ja te rivalët e Marsejës, eksperiencën në Premier Ligë dhe prapaskenat me Benitez dhe Arsen Venger, si dhe suksesin e paharrueshëm me Lacion në Itali, duke folur në një intervistë për “Worldfootballindex”.

Lorik, keni filluar karrierën si profesionist te PSG-ja, si ka qenë ajo përvojë me klubin?

Ishte një përvojë e mirë për mua, sepse fëmijëria ime u nda mes Kosovës dhe Zvicrës, ku fillova të luaj futboll me Lausan Sport dhe aty u pashë nga PSGja në moshën 16-vjeçare. Gjeta mundësinë për të shkuar atje në provë, shkoi mirë dhe klubi nënshkroi me mua.

 

Të qenit pjesë e një klubi kaq të madh në moshë të re më mundësoi të stërvitem dhe të mësoj nga lojtarë si Ronaldinjo, Anelka, Gabriel Hajnze, Xhei-Xhei Okoça dhe shumë të tjerë.

E dija se të kesh lojtarë si ata që kam përmendur, lojtarë të formuar të ekipit të parë, do të thoshte se do të ishte e vështirë për një lojtar të akademisë si unë të futej në ekipin e parë. E vështirë, por pse jo e pamundur. Isha i vendosur për t’ia dalë dhe fatmirësisht ia arrita. Jam krenar për këtë pjesë.

Ju fituat Kupën e Francës me PSG-në në vitin 2004. Sa e veçantë ishte arritja e një suksesi të tillë?

Ishte fantastike për mua të luaja për ekipin e parë dhe të fitoja një trofe, ishte një ëndërr e realizuar. Kam bërë debutimin tim me Ronaldinjon një vit para finales në 2004-ën dhe të luaja përkrah tij ishte një emocion i madh për mua. Ai ishte një futbollist i jashtëzakonshëm. Gjatë vitit të suksesit të Kupës, unë luaja rregullisht në ekipin e parë, gjë që ishte e mahnitshme për mua, sepse jo shumë lojtarë fitojnë një trofe në vitin e tyre të parë si profesionist.

Cana

Më pas kaluat nga PSG-ja te rivalët e Marsejës në 2005- ën. A hapi ky veprim shumë diskutime në atë kohë?

Historia pas lëvizjes ishte e thjeshtë. Kisha luajtur në Ligën e Kampionëve dhe fitova kupën me PSG-në, por si produkt i akademisë, kurrë nuk e ndjeva se do të shihesha si zgjedhja e parë për ekipin A, sepse isha ende një lojtar i ri.

Përveç kësaj, unë isha një tifoz i Marsejës që nga koha ime në Zvicër në fillim të viteve ’90-të, ndërsa i shikoja ata të ngrinin Kupën Europiane në 1992- shin. Marseja është e vetmja skuadër franceze për të cilën do të isha larguar nga PSG-ja dhe si lojtar i ri, ishte një lëvizje që solli sfida me rivalitetin e të dy klubeve, por nuk jam penduar që kalova atje.

Bëheni kapiten i Marsejës, arrini dy finale dhe luani në Ligën e Kampioneve. Si do ta përmblidhnit kohën tuaj në këtë klub?

Më pëlqeu koha në klub dhe ishte një periudhë e suksesshme. Ne nuk ishim rregullisht në Ligën e Kampionëve, kur erdha pranë lojtarëve si Frenk Riberi, Mamadu Niang dhe të tjerë.

Megjithatë, ky grup me ata lojtarë dukej se e ndihmoi shumë skuadrën, pasi ne vazhduam të vendoseshim si një klub i Ligës së Kampionëve, duke përfunduar në tri të parat e ligës franceze gjatë kohës sime në klub.

Arritja e dy finaleve të kupave me klubin ishte e veçantë, megjithatë humbja e një rasti të tillë nuk është kurrë e këndshme për një lojtar. E vetmja keqardhje që kam nga koha ime në klub ishte sezoni im i fundit kur përfunduam në vendin e dytë në kampionat dhe Bordo u shpall kampion.

Ndjeva se ai sezon ishte një mundësi e humbur për ne që të fitonim titullin pasi kishim një ekip të fortë dhe luajtëm mirë në sezon, por Bordo arriti të fitonte njëmbëdhjetë ndeshjet e tyre të fundit, gjë që ishte jetike për suksesin e tyre.

Pavarësisht kësaj, kam kujtime të shkëlqyera nga koha ime në klub. Tifozët ishin të mrekullueshëm me mua dhe unë arrita një ëndërr fëmijërie për të përfaqësuar Marsejën dhe më pëlqeu çdo mundësi që më duhej të dilja në stadium si lojtar i saj.

Ju u transferuat te Sandërlendi në Premier Ligë nga Marseja në vitin 2009. Si ndodhi kjo lëvizje?

Për të qenë i sinqertë, në verën e vitit 2009, e dija që do të largohesha nga Marseja, pasi kishte një sërë ndryshimesh në klub, me të cilat nuk isha i kënaqur. Para se të shkoja në Sandërlend, në fakt mendova se do të nënshkruaja për Hamburgun në Bundesligë.

Klubet ranë dakord dhe me mua, por Hamburgu tërhoqi prizën në minutën e fundit, jo vetëm me mua, por edhe me lojtarë të tjerë që ata kishin në plan të nënshkruanin, pa asnjë arsye. Pas kësaj lëvizje, unë kisha opsione të tjera në Bundesligë ose të luaja në Premier Ligë me Sandërlendin.

Në të kaluarën, unë kam qenë i lidhur me Liverpulin kur Rafa Benites ishte trajner, kam pasur disa kontakte me Arsen Vengerin kur ai ishte tek Arsenali dhe Dejvid Mojes kur ai ishte në Everton. Megjithatë, Stiv Brus dhe Sandërlend u përpoqën shumë për të nënshkruar me mua dhe unë vendosa të bashkohem me ta.

Të luaja në Angli ishte diçka që gjithmonë doja ta bëja kur erdhi mundësia për të luajtur në Premier Ligë, e mora atë dhe bëra lëvizjen, veçanërisht pasi fola me Stiv Brusin. Ai më bëri vërtet përshtypje me mënyrën dhe qasjen e tij kur e takova përpara se të nënshkruaja. Më pëlqeu pasioni i tij për futbollin dhe e lashë takimin me të duke e ditur se doja të luaja për të.

Si ishte përvoja juaj në Premier Ligë në krahasim me kohën në futbollin francez?

Premier Liga është liga më e mirë në botë, me futbollin më të mirë në botë. E di që thuhet shumë, por të gjithë në Angli jetojnë dhe marrin frymë me futboll. E ndjeva menjëherë. Stadiumet ishin fantastike dhe tifozët e ndiqnin lojën nga fillimi në fund duke brohoritur për diçka kaq të thjeshtë si një ndërhyrje në mesfushë.

Sa herë që më duhej të hyja në një duel, ishte sikur turma po e bënte atë me mua dhe nuk e kisha përjetuar shumë shpesh në të kaluarën. Sandërlendi si klub ishte pikërisht ashtu siç e prisja pasi fola me Stiv Brusin dhe ne patëm një sezon të mirë, duke përfunduar në vendin e 13-të në tabelë. Fatkeqësisht, pësova një dëmtim të keq në ijë në Krishtlindje, gjë që më ndikoi fizikisht në gjysmën e dytë të atij sezoni.

Përfundova duke u larguar nga klubi në fund të atij sezoni, por nuk kam asgjë tjetër veçse kujtime të mira nga Sandërlendi dhe tifozët. Ata janë tifozë të jashtëzakonshëm dhe njerëz që e duan shumë klubin e tyre.

Pas një sezoni në Angli, ju u transferuat në Turqi me Gallatasarajin, ku luajtët nën drejtimin e Frenk Rajkardit… Përse zgjodhët Turqinë?

Pas sezonit tim në Sandërlend, u ndjeva mirë dhe doja të kaloja në një klub më të madh. Në fund, Gallatasaraji bëri një lëvizje për mua. Ata janë një klub gjigant. U themeluan nga një shqiptar, kështu që unë kisha një lidhje me klubin në një mënyrë që më tërhoqi drejt kësaj lëvizjeje.

Ndihej si një mundësi shumë e mirë për ta refuzuar. Ishte një kohë sfiduese kur erdha në Turqi, sepse klubi nuk u kualifikua për në Europë dhe situata financiare u ndikua nga kjo. Gjërat nuk shkuan aq mirë as në ligë për ne, pasi përfunduam në vendin e 8-të, gjë që më bëri të dëshiroja të kthehesha në “top” pesë ligat europiane, të cilën pata mundësinë ta bëja me Lacion.

Me Lacion keni kujtime të bukura, pasi keni fituar një Kupë të Italisë kundër rivalëve të Romës. Çfarë kujtoni nga ajo kohë?

Ishte një nga momentet më të mira të karrierës sime. Pa dyshim. Tifozët nuk donin asgjë më shumë se të mposhtnin Romën dhe duke e mposhtur në finalen e Kupës së Italisë falë golit të Senad Luliçit, ne u bëmë legjenda të gjalla në sytë e tifozëve.

Ishte finalja e parë e Kupës mes Lacios dhe Romës, që e bëri edhe më të ëmbël fitoren tonë. Ishte një moment historik dhe kaq i rëndësishëm për të gjithë në klub. Unë jetoj ende sot në Romë dhe nuk kalon asnjë ditë pa më kujtuar dikush finalen e 2013-ës dhe suksesin që arritëm.

Keni mbi 90 ndeshje me Shqipërinë dhe keni mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Sa rëndësi kanë ato paraqitje për ju dhe familjen tuaj?

Që i vogël, ëndërroja të luaja për Shqipërinë. Ekipi kombëtar u bë simbol i kombit tonë dhe të përfaqësoja flamurin do të thoshte shumë për mua. Unë isha pjesë e ekipit kur u kualifikuam për turneun tonë të parë të madh, që ishte “Euro 2016” dhe kjo ishte një arritje përtej imagjinatës sime. Arritja e një suksesi historik, si ai me vendin tim, ishte suksesi më i madh i karrierës sime.