Inter bën detyrën, fiton 2-0 sfidën e fundit përballë Como-s, por zikaltërit dalin “duar bosh” sërish, në një kohë fati i titullit në Serie A nuk ishte në dorë të tyre. Titulli i shkon Napolit, ndërsa tani ekipit të Inzaghi-t nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të kthejë vështrimin nga finalja e Champions League, shansi i fundit për të shpëtuar këtë sezon ku fillimisht ëndërruan “tripletën”, por tani rrezikojnë jashtëzakonisht shumë ta mbyllin me zero tituj.
Inzaghi kishte bërë një rotacion thuajse të plotë, por ndaj Comos e zgjidhën shumë thjesht. De Vrij me kokë në minutën e 21-të kaloi Inter në avantazh. Në fundin e pjesës së parë, portieri Reina u ndëshkua me karton të kuq duke lënë Comon me 10-të lojtarë.
Me fillimin e pjesës së dytë ishte Correa që realizoi golin e dytë, por në të njëjtën kohë realizoi edhe Napoli, duke e bërë nul këtë sukses të Interit që e mbyll sezonin e rregullt në vendin e dytë. Në sytë e të gjithë lojtarëve ishte i dukshëm trishtimi, por tani nuk i mbetet gjë tjetër vetëm të bëjnë gjithçka për të fituar përballë PSG më 31 maj në Mynih, fakt që e pranon edhe Kristjan Asllani, me mesfushorin kuqezi që zhvilloi 90 minuta të plota në këtë takim: