Gjermania vjen në formë të shkëlqyer në këtë Botëror me 9 fitore radhazi dhe konsiderohet favorite për të qenë e para në grupin e saj.
Sfida e parë e turneut do të jetë përballë Kurasaos, një nga ekipet debutues të këtij aktiviteti që luhet për herë të parë me 48 skuadra.
Ndeshja që do të luhet sot prej orës 19:00 në Hjuston nis pa histori pasi përfaqësuesja gjermane ka mbi 90% shanse për ta fituar, por te Kurasao mbështeten te përvoja e trajnerit holandez, Dick Advocaat.
Po në Grupin E, Bregu i Fildishtë do të luajë me Ekuadorin në orën 01:00 pas mesnate në Filadelfia.
Ekipi afrikan kthehet në finalet e Botërorit pas 12 vitesh dhe kërkon të tregojë edhe një herë forcën. Ekuadori ka shumë ndeshje pa humbje dhe gjatë fazës kualifikuese ishte një nga mbrojtjet më të forta të Amerikës së Jugut. Kjo sfidë pritet të jetë shumë e ekuilibruar.
Një tjetër emër i njohur europian, por që nuk e ka fituar trofeun e Kupës së Botës pavarësisht se ka luajtur 3 finale do të nisë garën.
Holanda do të luajë me Japoninë në orën 22:00 në Teksas. Skuadra aziatike synon të bëjë surprizën edhe pse holandezët nuk kanë humbur ndonjëherë këtë sfidë direkte.
Në përballjen tjetër të Grupit F, Suedia do të luajë me Tunizinë takimin e parë prej orës 04:00 në Monterrei.
