Interi vazhdon të eksplorojë tregun për përforcimin e mesfushës, ndërsa emri i Eduardo Camavingës mbetet një nga alternativat që po shqyrtohen. Edhe pse nuk ka ende një konfirmim zyrtar, mediat spanjolle raportojnë se gjatë takimit të zhvilluar më 15 qershor mes presidentit të Interit, Giuseppe Marotta, dhe homologut të Real Madridit, Florentino Perez, është diskutuar edhe për të ardhmen e mesfushorit francez.
Sipas raportimeve nga Spanja, Camavinga nuk konsiderohet një lojtar prioritar në planet e José Mourinhos dhe është mes futbollistëve që Real Madridi është i gatshëm të shesë. Klubi madrilen ka qenë shumë aktiv në merkato, ndërsa afrimi i Bernardo Silvës ka shtuar konkurrencën në repartin e mesfushës.
Ndërkohë, objektivi kryesor i Interit për këtë repart mbetet Curtis Jones. Megjithatë, negociatat me Liverpoolin nuk kanë shënuar zhvillime. Pavarësisht se kontrata e mesfushorit skadon sezonin e ardhshëm dhe vetë lojtari e sheh me interes transferimin në Itali, klubi anglez vazhdon të kërkojë 35 deri në 40 milionë euro, ndërsa oferta e Interit ndalet në 25 milionë.
Camavinga është një profil që pëlqehet edhe nga trajneri Cristian Chivu, por kushtet ekonomike të vendosura nga Real Madridi e bëjnë operacionin shumë të vështirë. “Los Blancos” kërkojnë vetëm një shitje përfundimtare, duke përjashtuar formulat e huazimit me detyrim blerjeje, dhe e vlerësojnë kartonin e francezit rreth 60 milionë euro.
Një shifër e tillë konsiderohet shumë e lartë për politikën financiare të pronarëve të Interit, fondit Oaktree, sidomos duke qenë se Camavinga nuk është objektivi kryesor në listën e drejtuesve Giuseppe Marotta dhe Piero Ausilio.
Për momentin, destinacioni më i mundshëm për mesfushorin francez mbetet Premier League. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që pas Botërorit ai të bindë José Mourinhon dhe të vazhdojë aventurën e tij me Real Madridin.
