Futboll Seria A Sport

Fillon sezoni i zikaltërve, ky do të jetë Interi i super heronjve

Duhet vrapuar për titullin dhe për të bërë një paraqitje të mirë në Champions League. Inter i sezonit 2018/19 ka ndezur motorët, pret lojtarët e Kupës së Botës (Miranda, Vecino, Perisic, Brozovic), por e di që tani se për të jetuar një sezon si protagonist do të ketë nevojë për një skuadër… super heronjsh.

Është e vetmja mënyrë për të provuar të ndalë Juventus, Napoli dhe Roma në Serinë A dhe për patur vazhdimësi në Europën e rëndësishme. Nga Handanovic te Lautaro, nga Asamoah te Nainggolan: Spalletti është në duar të mira, sepse të gjithë kanë diçka të veçantë. Mes atyre që kanë qenë me zikaltrit dhe atyre që do të jenë të hënën për herë të parë në Appiano Gentile, ka të paktën tetë interistë që mund të krahasohen, për lojë, me super heronjtë.

Duke filluar nga Handa, portieri i katërt me më shumë ndeshje në historinë e klubit pas Zenga, Bordon dhe Julio Cesar. Tek Inter është Walter Zenga ai që njihet si “Njeriu Merimangë”, por slloveni ka një aftësi t’i tërheqë topat drejt duarve të tij si të ishte “Spider Man”. Vitin e kaluar ka pritur 75% të gjuajtjeve që i janë bërë drejt portës (i dyti vetëm pas Alisson dhe Buffon) dhe në 17 ndeshje nuk ka pësuar asnjë gol. Një siguri, edhe pse është pothuajse 34 vjeç.

Para tij është Milan Skriniar, simboli i forcës. Mbrojtësi muskulor ka zhvilluar një sezon shumë të mirë me zikaltrit. E spastron zonën e rreptësisë si të ishte Hulk dhe bateritë e tij nuk mbarojnë kurrë. Që nga koha që Seria A është kthyer të jetë me 20 skuadra (2004/05), është lojtari i parë jo portier i Inter që ka luajtur më shumë minuta në kampionat (3.240).

Një tjetër mur është prurja e re, Stefan de Vrij, i cili mund të krahasohet me Gjënë e 4 Fantastikëve. Thonë se është më pak i fortë se Hulk, por është pothuajse i pakalueshëm dhe pritet të formojë një dyshe të frikshme në krah të Skriniar. Black Panther, super heroi i parë afrikan, është Kwadwo Asamoah. Ai është lojtari që mund të bëjë gjithçka, që e ka nisur si mesfushor dhe është përshtatur si mbrojtës i krahut të majtë. Ashtu si T’Challa, mbret dhe protektor i Mbretërisë së Wakanda, ish-juventini është i zgjuar, di të mbrojë, di të sulmojë: një panterë e zezë që mund të garantojë forcë, atë që do Spalletti.

Super heronjtë duhen edhe në mesfushë. Ata janë Politano dhe Nainggolan. Ish-lojtari i Sassuolo-s është lojtari që mund të ndryshojë ritmin, që vrapon shumë. Si Flash-i, me këmbët e tij të shpejta, do të ketë detyrën që të depërtojë në mbrojtjet kundërshtare. Po Nainggolan? Vetë Spalletti ka thënë: “Mund të luftojë kundër kujtdo. Nga ana tjetër është një ninja, jo një samurai. Lufton me të gjithë në çdo fushë”. Radja si Breshkat Ninja? Sigurisht, ai mund të jetë Leonardo, më e guximshmja nga katër breshkat. Lideri që kërkonte Inter.

Kapiten Icardi dhe i ardhuri i fundit, Lautaro Martinez, janë një dyshe e bukur. Si Batman dhe Robin? Jo. Maurito është Superman, sepse ka marrë Inter-in mbi shpatulla dhe e ka kthyer në Champions. Ai është gjakftohti (para portës): nuk është një rastësi që vitin e kaluar ka qenë lojtari me më shumë gola të shënuar në Serinë A, duke përjashtuar penalltitë (23). Ndërsa, Lautaro është shkëndija, i paparashikueshmi: si Njeriu Pishtar i 4 Fantastikëve, ai do të ketë detyrën të ndizet, t’i japë zjarr sulmit zikaltër.

Related posts

NDESHJA NDAJ FERONIKEL/ Flet Romagnoli: Jemi në fazën përgatitore, besoj që…

Delo.autor

Milan – Arsenal, notat e Xhakës dhe Mustafit

Q.Autor

Luftëtari pret Skënderbeun, tifozët gjirokastritë në delir: Sot më afër se kurrë ëndrrës europiane

Sadik.Autor

Leave a Comment