Celula xhihadiste që kreu sulmet terroriste në Barcelonë më 17 gusht të vitit 2017 kishte si synim që të kryente një tjetër sulm tri ditë më pas në stadiumin “Camp Nou”, në takimin kundër Betis, në javën e parë të La Liga-s. Sipas gazetës spanjolle “El Periódico”, grupi kishte planifikuar që të kryente disa sulme.
Hetuesit të cilët po merren me ngjarjen e gushtit të shkuar, në Las Ramblas, ku humbën jetën 13 persona dhe u plagosën 130 të tjerë, gjetën në një nga telefonat e të arrestuarve, Mohammed Hichamy, të dhëna për orarin e ndeshjes dhe për hyrjen në stadium.
“Ka shumë mundësi që ata kishin në plan të njëjtën gjë që bënë edhe terroristët në Paris, të cilët sulmuan stadiumin “Saint Demis” gjatë takimit të kombëtares franceze.
Supozimi bëhet edhe më pranueshëm nga dëshmia e një shitësi të aksesorëve të klubit blaugrana i cili tha se dy anëtarë të grupit kishin qenë në dyqanin e tij dhe kishin blerë fanella dhe shalle të ekipit. Për hetuesit kjo do të ishte një mënyrë që ata të kalonin pa tërhequr vëmendje brenda në stadium dhe më pas të realizonin planin tyre.
