Real Madrid është gati të bëjë një blerje “big” në janar, duke parë situatën aspak të mirë që ka pushtuar skuadrën “merengues” dhe në krye të listës është mesfushori i Manchester City, Raheem Sterling. Ai nuk u aktivizua asnjë minutë dje, në fitoren 5-0 që City arriti ndaj Burney, ndërkohë që prej muajsh talenti britanik nuk ka rinovuar kontratën me kampionët e Anglisë.
Këtë javë, ai realizoi 2 gola për kombëtaren e Anglisë në përballjen ndaj Spanjës në Ligën e Kombeve, duke shtuar edhe më shumë interesin e ekipit madrilen. Për këtë arsye, gjigandët spanjollë janë gati t’i ofrojnë një rrogë të mirë Sterling, deri në 175 mijë stërlina në javë, ndërkohë që aktualisht ai përfiton 100 mijë stërlina në javë te City.
Kontrata e Sterling me City skadon pas 18 muajsh, në verën e vitit 2020 dhe palët nuk po gjejnë një marrëveshje për ta rinovuar atë. Ndaj Real Madrid kërkon të përfitojë nga kjo situatë, me presidentin Florentino Perez që është gati të paguajë 100 milionë stërlina për ta sjellë talentin 23-vjeçar në “Santiago Bernabeu”.
Sipas mediave britanike, ky transferim ka gjasa të realizohet që në janar të këtij viti, pasi madrilenët janë në kërkim të një lojtari të shpejtë, që luan si në krah ashtu dhe para porte për të dalë nga kriza. Ky transferim do të ishte një grusht i rëndë për trajnerin Pep Guardiola, që e vlerëson shumë lojtarin dhe prej muajsh i kërkon klubit që t’I rinovojë kontratën Sterling.
