Leo Messi duhet të ketë durim për t’u kthyer në fushat e lojës. Në fakt, argjentinasi nuk është mësuar të presë për këtë, por duhet të mësohet me një realitet të tillë në ditët e para, pas një frakture në krahun e djathtë, kundër Sevilla. Para së gjithash, sepse është një lëndim i dhimbshëm dhe argjentinasi ka probleme me gjumin. Përtej ilaçeve për ta zbutur shqetësimin, mjekët i kanë kërkuar lojtarit për të qenë i duruar.
Pas dëmtimit të tij të shtunën dhe pushimit të së dielës, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” është parë vetëm sot në publik, me krahun e futur në allçi dhe të varur në një fasho. Diagnoza është e qartë, por ky është një lëndim, që mund të rezultojë i pabesë. Mjekët e klubit kanë zgjedhur një trajtim pa kirurgji, por procesi mund të zgjasë përtej tri javëve.
Ekzistojnë disa mjekë jashtë klubit, që mendojnë se tri javë janë shumë pak për riaftësimin e plotë. Gjithashtu, në Barcelonë, lojtari është përjashtuar nga tri ndeshjet e mëdha të javëve të ardhshme: Barça-Inter (24.10.2018); Barça-Real Madrid (28.10) dhe Inter-Barça (06.11). Gjithsej, do të jenë gjashtë ndeshje, që argjentinasi do t’i humbasë.
Pra, Barça duhet të mbijetojë pa Leon. Pa yllin argjentinas, që ka munguar për shkak lëndimesh, skuadra katalanase ka fituar 56 ndeshje, ka barazuar 17 dhe ka humbur 15, nga 88 ndeshje të luajtura.
Që nga sezoni 2005-2006, Messi ka pësuar 19 lëndime, i 20-ti kundër Sevilla. Në vitet e para, Barcelona e ka ndier më shumë mungesën e Leos, por në kohët e fundit ka qenë në gjendje ta përballojë më mirë mungesën e tij.
Tashmë vlen hierarkia. Në këto javë pa Messin, Barça ka nevojë për lojtarë të tjerë të aftë, për të ecur përpara. Mbetet të shihet se kush është më i zoti për të marrë më shumë peshë mbi supe në lojën e katalanasve, sepse është fjala për të bërë ndryshimin, në mungesë të Messit.
Lojtari me pritshmëritë më të larta, në këtë kuptim, është Coutinho. Braziliani ka konfirmuar se është një lojtar, që ka marrëdhënie të veçantë me golin dhe që siguron balancimin e skuadrës. Por, gjithashtu, ai është një futbollist, që nuk ka treguar vazhdimësi në ndeshjet me katalanasit.
As si lojtar i brendshëm, as si anësor, Coutinho nuk ka qenë “termometër” i Barcelonës, deri më tani. Natyrisht, ka pasur edhe shfaqje të jashtëzakonshme. Pa “10”, tashmë pritet të rritet kontributi i tij në lojë. Një tjetër lojtar i Barcelonës, cili është gjithashtu në qendër të vëmendjes (kur mungon Messi), është Ousmane Dembélé.

