Joao Cancelo lavdëroi bashkëlojtarin e tij me Juventusin dhe Portugalinë, Cristiano Ronaldo, duke e quajtur atë “fitues të lindur”, sepse iu jep ekipeve ku luan një atmosferë të veçantë. Duke u bashkuar me Juventusin këtë sezon, pas një huazimi tek Interi, 24-vjeçari është bërë një element i padiskutueshëm në të djathtë të bardhezinjve.
Megjithatë, Cancelo ka më shumë fjalë për bashkatdhetarin e tij. “Unë jam duke folur për një lojtar, që ka bërë dallimin kudo që ka shkuar, sepse Ronaldo është ndryshe nga të gjithë të tjerët, – tha ai për “Sky Sport Italia”. – Kur arriti te Juventusi, nuk ngriti vetëm nivelin e skuadrës, por edhe nivelin individual të shokëve të tij.
Juventusi ka qenë gjithmonë një klub i madh, por tani me Cristianon jemi transformuar, synojmë Ligën e Kampionëve. Cristiano ka lindur për të fituar dhe ndihmuar shokët e tij të fitojnë”.
Në lidhje me “Topin e Artë”, Cancelo nuk beson se ka ndonjë diskutim, pavarësisht nga pretendimet e Lionel Messit, Luka Modric dhe Antoine Griezmann.
“Çdo ditë stërvitem me Cristiano Ronaldon dhe deri tani ai ka fituar pesë trofe të tillë, – shtoi portugezi. – Nëse Cristiano nuk e fiton këtë vit, është e pabesueshme. Ai është më i miri i të gjithëve dhe sezonin e kaluar ishte më vendimtar sesa çdo lojtar tjetër.
Cristiano fitoi Ligën e Kampionëve si protagonist absolut, duke shënuar 15 gola. Pa Cristiano Ronaldon, Real Madridi humb 5-1. Ky është ndryshimi”.