Futboll Premier League Sport

SUPERSFIDA/ Chelsea e mposht Manchester Cityn, i shkakton humbjen e parë

Chelsea e ka mundur 2-0 Manchester Cityn të shtunën në Londër në derbin e javës në kampionatin anglez, duke ia ndërprerë ecurinë e përkryer pa humbje këtë sezon në Premierligë.

Skuadra e Pep Guardiolës vinte nga një ecuri prej 13 fitoreve, 2 barazimeve dhe asnjë humbjeje dhe me synim që ta ruajë këtë rekord të paprekur edhe në derbi ndaj Chelseat. Megjithatë, Maurizio Sarrit mendoi ndryshe duke reaguar në mënyrë të përkryer ndaj humbjes kundër Wolves në mesjavë.

Chelsea e harroi humbjen befasuese ndaj Wolves duke u bërë skuadra parë që e mposht Manchester Cityn këtë sezon në Premierligë.

Kjo ishte humbja e parë e kampionit në fuqi pas plot tetë muajsh në Premierligë.

Si pasojë, Liverpooli tani mbetet skuadra e vetme pa asnjë humbje në ligën elitare angleze dhe lider në të njëjtën kohë.

Në një pjesë të parë të dominuar plotësisht nga vizitorët nga Mançesteri, golin e vetëm e realizuan vendasit e Londrës.

N’Golo Kante tundi rrjetën e portës së Edersonit nga brendia e zonës, pasi mori një super pasim nga Eden Hazardi, në minutën e fundit të pjesës së parë.

Edhe pjesa e dytë u dominua plotësisht nga City, por kjo s’i ndihmoi dot në rezultatin final.

David Luiz ua preu këmbët mysafirëve kur shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi, rreth dhjetë minuta para fundit.

Manchester City mbetet në kuotën e 41 pikëve dhe tani e humb pozitën e parë, e cila i takon Liverpoolit me 42 pikë.

Chelsea ruan pozitën e tretë me 34 pikë, aq sa ka edhe Arsenali një vend më poshtë.

Related posts

CHAMPIONS/ Fitore në “San Siro”, Milan i falet Bennacer. Spektakël madrilen i Realit ndaj Chelseat

F.autor

MERKATO E VERËS/ Nuk ishte pjesë e projektit, mesfushori i Tiranës vendos për të ardhmen

Delo.autor

FOTO/ Elesid Hysaj zbarkon në Shkodër, del xhiro me ‘bishën’ 200 mijë eurosh

Sadik.Autor

Leave a Comment