Futboll Sport

PËSOI DËMTIM ME PORTUGALINË/ Gjatë karrierës së CR7 vetëm në 3 herë ka munguar, ja rastet

Ronaldo i mban tifozët e Juventusit në ankth për dëmtimin e pësuar mbrëmjen e djeshme me Portugalinë. CR7, megjithatë, thotë se e njeh shumë mirë trupin e tij dhe, megjithëse ende duhet të kryejë teste për të vlerësuar shkallën e lëndimit, ai është i sigurt se do të kthehet në fushë brenda një, ose dy javësh, në kohë për sfidën e Ligës së Kampionëve me Ajax.

Sidoqoftë, për të siguruar tifozët e Juventusit, mund të shërbejnë edhe precedentët, të cilët i rreshton “Tuttosport”. Trupi i Ronaldos, për të cilin ai kujdeset në mënyrë “maniake”, është një makinë praktikisht e përkryer, çka përcakton edhe riaftësimin, në raste lëndimesh.

Gjatë karrierës së tij, në fakt, vetëm në tri raste Ronaldo ka munguar për më shumë se dy javë, për shkak dëmtimi. Në të gjitha rastet e tjera, ai është kthyer në fushë brenda 15 ditëve, apo diçka më shumë. Le të shohim se cilat ishin dëmtimet e Ronaldos në karrierën e tij.

Lëndimi i parë i vërtetë i Ronaldos është gjithashtu më seriozi i karrierës së tij: një frakturë e gjurit, që e mbajti atë larg nga fushat për 94 ditë, në sezonin 2008-2009, kur luajti me fanellën e Manchester United. Në sezonin e ardhshëm, ai pësoi një tjetër dëmtim mjaft të rëndë në kyçin e këmbës, gjithmonë me “Djajtë e Kuq”, i cili e la pa stërvitje 42 ditë.

Pastaj, vetëm probleme të vogla të muskujve dhe asgjë më shumë për kaq shumë vite: Në sezonin 2013-2014, ai pësoi një tendosje të kofshëve (7 ditë pushim), një thyerje të pjesshme të një fibre muskulore (18 ditë pushim) dhe një problem muskujsh (13 ditë pushim). Dy sezonet e ardhshme shkuan pa probleme. Sezoni 2014-2015 filloi me një problem të kofshës, që e la dy ndeshje jashtë.

Në sezonin 2015-2016 mbeti jashtë fushave vetëm 11 ditë për lëndimin e një fibre muskulore. Në atë verë, megjithatë, pati edhe dëmtimin e fundit “të rëndë” të karrierës së tij, në ligamentin kolateral, çka e detyroi të rrinte në “infermieri” për 59 ditë. Kjo situatë ishte ndoshta më dramatikja, sepse e vuajti në finalen e “Euro 2016” kundër Francës.

Ronaldo “ngriti flamurin e bardhë” në minutën e 25-të, por pastaj e inkurajoi kombëtaren e tij në fitoren historike me Francën nga stoli. Në verë, megjithatë, CR7 kishte shumë kohë për t’u rikuperuar mirë, kështu që humbi vetëm tri ndeshje me Real Madridin, sezonin e ardhshëm. Që atëherë, ai nuk u ndal kurrë më shumë se një javë. Disa problemeve të muskujve në dy sezone nuk e lanë kurrë jashtë fushave për më shumë se shtatë ditë.

Me pak fjalë, mungesat e gjata për shkak lëndimesh, paradoksalisht, Ronaldo i ka në fillim të karrierës së tij. Pastaj, ylli portugez filloi ta trajtonte trupin në mënyrë pothuajse të përsosur dhe, përveç ndalesës që erdhi nga finalja e “Euro 2016”, ai praktikisht kurrë nuk pati “pit stop”.

Related posts

LOFTUS-CHEEK BËHET “DJALL”/ Kryen vizitat mjekësore. Milani në treg dhe për një “bomber”

F.autor

Arsenali ofron 28 milionë euro për portierin gjerman

Sadik.Autor

MBYLLET MERKATOJA E JANARIT/ Ja kampionati që kryeson me transferime në 5 ligat kryesore

Delo.autor

Leave a Comment