I lumtur për suksesin e të kuqëve në ndeshjen ndaj Kamzës, që rikthen Partizanin te fitorja, zëvendëstrajneri, Klevis Dalipi bën analizën e ndeshjes së përfunduar me rezultatin 2-1 në favor të ekipit të tij. Sipas zëvendëstrajnerit Dalipi, Partizanit mund të kishte fituar me një rezultat më të thellë për shanset që pati në favor, por gjithsesi e vlerëson si një sukses në përvjetorin e klubit, e gjithashtu edhe për faktin që vjen përpara ndeshjes me Laçin, të konsideruar prej tij si një sfidë të vështirë.
“Festa e 72-vjetorit të themelimit të klubit do të bashkohet me këtë fitore. E prisnim që të ishte një ndeshje e vështirë. Gjatë 90’ minutave ndodhën shumë episode. Ajo që na mungoi në Kupë e realizuam në kampionat. Lojtarët që u aktivizuan, i zbatuan detyrat. Ishte ndeshje e vështirë, por nëse do të shënonim golin e tretë apo më shumë, atëherë do të flisnim ndryshe. I patëm rastet për një fitore më të thellë. Kjo fitore është me shumë vlera, ndaj një rivali që ishte para nesh. Na jep moral për vazhdimësinë, sepse kemi një ndeshje shumë të vështirë me Laçin”, u shpreh zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalimi, në mungesë të Starovës.

