Shorti i Ligës së Europës për fazën e 1/16-ve, ka vënë përballë Interin me bullgarët e Ludogoretsit. Një short ky jo shumë i vështirë për ziklatërit, të cilët pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, do të kërkojnë triumfin në këtë kompeticion.
Menjëherë pas shortit ka folur edhe zv. Presidenti i Interit Havier Zaneti, i cili u shpreh: “Nuk ka ndeshje të lehta, sidomos në këto kompeticione. Duhet të luajmë sa më mirë të jetë e mundur në këto ndeshje, sepse gjithmonë mund të ketë befasi. Le të përqendrohemi si fillim në kampionat, më pas do të kemi mundësi të përgatitemi për këto dy ndeshje në Ligën e Europës.
Fitimi i këtij kompeticioni? Ne duam të jemi protagonistë, pasi gjithmonë duam të bëjmë mirë në Europë. Ky kompeticion gjithashtu është i rëndësishëm. Na vjen keq që u larguam nga Liga e Kampionëve për mënyrën se si e përgatitëm grupin, por fusha na tregoi se nuk ishim ende gati. Gjithmonë ka kohë të përmirësojmë disa gjëra.
Konte? Ne jemi shumë të lumtur më të. Pasioni që ai arrin të përcjellë te të gjithë, është shumë i rëndësishëm për një ekip që dëshiron të luftojë për objektiva të mëdha. Është shumë i përgatitur, inteligjent dhe me personalitet të shkëlqyer.
Historia jonë është e qartë, ne kemi qenë gjithmonë protagonistë në Champions dhe Europa Ligë. Kemi për detyrë të besojmë në këto, duke punuar me përulësi të madhe dhe me shpresën se do ia dalim në fund.”, u shpreh Zaneti.