Klubet e Premier Ligës kanë diskutuar ndryshimet në rregullin e pozicionit jashtë loje, për t’u dhënë fund polemikave pas ndërhyrjeve milimetrike të VAR-it, duke nisur nga sezoni i ardhshëm. “Sky Sports” ka zbuluar se klubet elitare të Anglisë kanë kërkuar që futbollistëve t’u jepet një liri veprimi nga 10- 20 centimetra në vendimet e VAR-it për pozicion jashtë loje.
“The Times” raportonte se kërkesa e klubeve ndaj arbitrave ka qenë për të përdorur një vijë më të trashë për të përcaktuar pozicionin jashtë loje kur përdoret VAR-i. Në takimin e aksionerëve të klubeve të Premier Ligës që u mbajt të enjten e shkuar, përfaqësuesve të klubeve iu treguan shembuj të vijave me trashësi të ndryshme, përfshirë 10cm 15cm dhe 20cm.
Me këtë demonstrim, klubet e Premier Ligës thanë se do të kenë një tolerancë më të madhe sesa është aktualisht këtë sezon. Vendimi zyrtar për ndryshimin e vijës së pozicionit jashtë loje nuk është marrë ende. Edhe po të merret, ai nuk do të hyjë në fuqi gjatë sezonit aktual, por duke nisur nga 2020-2021.
Arbitrat do të vazhdojnë që të punojnë me ligjvënësit e IFAB, por xhaketat e zeza u shprehën se nuk kanë asnjë preferencë në lidhje me këtë propozim të fundit dhe kanë thënë se thjesht do të zbatojnë rregullat e lojës.
Presidenti i Premier Ligës, Riçard Masters, deklaroi këtë javë për “Sky Sports News” se diskutime të mëtejshme në lidhje me ndryshimet e mundshme të pozicionit jashtë loje të VAR-it do të ketë në një takim të klubeve, që do të mbahet në muajin prill.