Dinamo u ngjit në Kategorinë Superiore pas 9 vitesh mungesë dhe si duket drejtuesit e kryeqytetasve e kanë marrë seriozisht sezonin e ri duke nisur riaftësimin e klubit që nga detajet më të vogla.
“Nëndetësja” ka lajmëruar nëpërmjet një statusi në “Facebook” se do të prezantojnë logon e re të klubit ditën e nesërme. Në postim shkruhet se rëndësia kryesore është rikrijimi i një klubi serioz, me ambiente për stërvitje, ndeshje dhe zyra të stafit siç i takon një skuadre si Dinamo.
Marketingu është kthyer në një element shumë të rëndësishëm për klubet e futbollit duke u sjellë fitime të mëdha, dhe blutë nuk kërkojnë të ngelen prapa.
Postimi i Dinamos
Një epoke e re për Klubin Dinamo sapo ka lindur…
Pas shumë e shumë vështirësive në Kategorinë e Parë, Klubi Dinamo rikthehet në Kategorinë Superiore për të synuar atë ç’ka klubi ka pasur gjithmonë si traditë.
Së pari, për drejtuesit e rinj rëndësia kryesore është rikrijimi i një klubi serioz, me ambjente për stërvitje, ndeshje dhe zyra të stafit dhe grupit të lojtarëve ashtu sikurse i takon Klubit të Dinamos, si një ndër klubet më të titulluara në Shqipëri.
Asnjë ndryshim nuk është i lehtë, por gjithmonë mendohet për të krijuar baza të forta për një të ardhme të suksesshme. Marketingu sot është një pikë shumë e fortë e zhvillimit të biznesit, prandaj me shumë kënaqësi, ju njoftojmë që në datën 15 Qershor ora 17:00 prezantojmë imazhin e ri të Futboll Klub Dinamo…