Tomas Brdariç tha në fund të ndeshjes së humbur me Tiranën se skuadra e tij është gati për Superkupën. Gjermani analizoi gjithçka, duke nisur nga arbitrat e në vazhdim si dhe pranoi se me punë mund të përsëritet sezoni i shkuar.
Çfarë mund të na thoni rreth kësaj miqësoreje?
Ishte një test i mirë ndaj një kundërshtari të fortë. Ky takim për ne tregoi se jemi më mirë se në ditët e shkuara.
A është Vllaznia gati për Superkupën?
Po, po. Jemi gati për Superkupën. Po shikoj gjëra të mira nga lojtarët e mi, vetëm se duhet të jemi më të përqendruar në fazën e finalizimit të aksioneve. Kam besim se do ta përmirësojmë edhe këtë mangësi para portës kundërshtare.
Në disa raste pamë që ishit i mërzitur me vendimet e gjyqtarit…
Doja që t’i ndihmoja edhe ata. Po luanim ne ndaj një kundërshtari të fortë dhe doja që gjyqtarët të ishin më të shpejtë në vendimmarrje. Për mua gjyqtari e humbi përqendrim në 2-3 situata, pasi duke lejuar vazhdimin e lojës, ne mund të shfrytëzonim kundërsulmin. Gjithsesi, ne kemi marrëdhënie shumë të mira me gjyqtarët.
A mund ta përsërisë Vllaznia sezonin e shkuar?
Për mua, ne duhet të punojmë shumë fort dhe të tregojmë të njëjtën paraqitje nga sezoni i shkuar. Çdo gjë duhet të jetë në maksimum e perfeksion dhe ne vazhdojmë të punojmë për këtë gjë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur për të treguar më të mirën. Duhet të jemi të duruar dhe të vazhdojmë përpara.
Merkato e Vllaznisë është ende e hapur apo nuk prisni përforcime të tjera?
Gjersa ky proces është ende i hapur, ne gjithnjë shikojmë mundësitë për përmirësime dhe të jemi më të mirë, ashtu siç e dëshirojmë të gjithë. Gjithsesi, unë po punoj me lojtarët që kam dhe mendoj se skuadra është e plotë. Ndaj, na duhet që t’u japim lojtarëve tanë besimin e duhur që ata të jenë të zotët për t’i fituar ndeshjet.
Folët për gjyqtarët, po çfarë mendoni për funksionimin e sistemit VAR këtë sezon në Superiore?
Për mua është gjë shumë e mirë, brilante. Ky sistem u jep mundësinë gjyqtarëve që të bëjnë një punë edhe më të mirë në vijim.
