Futboll Premier League Sport

KUSH ËSHTË RALF RANGNICK/ Profesori që frymëzoi Klopp, Tuchel dhe Nagelsmann

Në “Old Trafford” për 6 muajt e ardhshëm do të mbizotërojë qetësia sa i përket emrit të trajnerit që do të drejtojë “Djajtë”. Ralf Rangnick do të qëndrojë në stol deri në fund të sezonit. 63-vjeçari njihet si një vizionar i vërtetë i kësaj loje dhe vjen me një reputacion me shumë peshë në vendlindjen e tij, të cilën Junajtidi shpreson që ai ta shfaqë edhe në Mançester.

Rangnik është frymëzuesi i madh i taktikave të Klopit, Tuhelit dhe Nagelsmanit. I njohur me nofkën “Profesori”, ai ishte një nga pionerët e “Gegenpressingut”, kundërpresingut të fortë dhe të menjëhershëm ndaj kundërshtarit, pasi skuadra humbet topin. Influenca e tij ka frymëzuar futbollin modern, me shumë ekipe që aplikojnë filozofinë e tij.

E NISI I RI – Rangnik e nisi karrierën e trajnerit në moshën 25- vjeçare (1983) pas një karriere mediokre si futbollist gjysmëprofesionist, por teoritë e tij ishin kundër trendit, me skuadrën kombëtare që aplikonte një skemë të ngurtë 3-5-2 dhe markim tek për tek. Për të qenë të sinqertë, Gjermania Perëndimore shijoi sukses duke luajtur me këtë stil dhe fituar Botërorin e 1990-ës, pasi 4 vite më parë ishte finaliste. Por, Ralf kishte idetë e tij sesi duhej luajtur kjo lojë e bukur. Në 1997-ën, ai mori pankinën e tij të parë tek ekipi i Ulmit 1848, i cili do të shpallej kampion në kategorinë e katërt nën drejtimin e tij. Një vit më vonë, ai u shfaq në TV me një kostum të zi dhe këmishë, duke treguar tezat e tij të futbollit.

Media gjermane i vuri nofkën “Profesori gjerman”, ndoshta padrejtësisht dhe me ironi. Ai u vu në lojë për pamjen e tij të kuruar dhe syzet pa skelet, ndërkohë që metodat e tij nuk u përqafuan nga skuadrat që ndiqnin filozofinë e legjendës Franc Bekenbauer. “Reagimi nga media, por edhe i të tjerëve në futboll ishte i jashtëzakonshëm. Arsyeja kryesore për këtë ishte se 30 vite më parë, Bekenbauer vendosi pikën e referimit për shumicën e skuadrave në vendin tonë, kur ai krijoi rolin e liberos për veten e tij. Franc pranoi edhe vetë në mesin e viteve 1990 se ti nuk mund të luash me një katërshe mbrojtjeje me markim zonal, sepse lojtarët gjermanë nuk do ta kuptonin atë. M’u desh të pyesja veten se përse lojtarët gjermanë duhet të ishin më pak inteligjentë sesa ata në Belgjikë, Spanjë apo Holandë? Për mua ajo nuk ishte logjike”, tregon Rangnik.

KUNDËRPRESINGU – Në bërthamën e filozofisë së Rangnikut ishte ajo që më vonë do të njihej si “Gegenpressing”-u, i cili në vetvete ishte një produkt i presingut të ikonës së trajningut ukrainas, Valeri Lobanovski. Ishte një taktikë që frymëzoi Klopin në markën e tij të futbollit “Heavy-Metal”. Tekniku i Liverpulit e ka cilësuar Rangnikun “një prej trajnerëve më të mirë, në mos më të mirin gjerman”. Por çfarë mendon Rangnik për “Gegenpressing”-un: “Është shumë i thjeshtë. Është një stil proaktiv futbolli, i ngjashëm me atë që Dortmundi dhe Liverpuli kanë luajtur me Klopin. Na pëlqen të presojmë lartë, me një kundërpresing shumë intensiv.

Kur kemi topin nuk na pëlqejnë të bëjmë pasime të drejta apo pas. Portieri nuk duhet të jetë gjithashtu lojtari me më shumë kontakte me topin”. Në vitet e fundit të karrierës, atij i ka pëlqyer më shumë roli i drejtorëve sportivë në dy ekipet e Red Bullit, Lajpcig dhe Salcburg, por edhe Nju Jorku. I pëlqen më shumë të bëjë rolin e konsulentit, atë që do të marrë pas 6 muajsh në Mançester. Milani tentoi për shumë kohë ta bënte pjesë të projektit të tij, por ai zgjodhi Rusinë dhe Lokomotivën e Moskës, duke firmosur si drejtori sportiv dhe i zhvillimit për 3 vite. Por, thirrja e Junajtidit ishte shumë joshëse për ta refuzuar. A do të arrijë “Profesori” të rikthejë lavdinë e humbur të tyre?

Related posts

“DERBI INTER-JUVENTUS MË LË PA GJUMË”/ Morati: “Fenomeni” i veçantë, Mourinhon e mora sepse ngjasonte me….

Delo.autor

“DUA TË LUAJ”/ Mesfushori Rakitic: Nuk kam dëgjuar askënd të flasë për futboll!

Delo.autor

Evra zbulon prapaskenën në dhomat e zhveshjes së Junajtid: Kur isha unë DJ kërcente edhe…

Isa.Autor

Leave a Comment