Nëse Reali ka vendosur t’i shkojë deri në fund fiksimit të tij për Kilië Mbapenë, Barcelona është kundërpërgjigjur duke bërë të njëjtën gjë me Erling Halandin. Mbrojtësi i katalanasve, Zherard Pike, si dhe presidenti Laporta, kanë zgjedhur dy mënyra të ndryshme për të ftuar sulmuesin e Dortmundit që t’i bashkohet katalanasve në verë.
Mbrojtësi i Barcelonës e ka ftuar Halandin t’i bashkohet “Blaugranave” duke përdorur një këshillë, ndërsa numri një i klubit, gjatë prezantimit të Obamejangut ka pranuar se ka kohë që po punon për një goditje të madhe në verë. Pa përmendur emër konkret, duket qartë se Laporta i është referuar pikërisht sulmuesit norvegjez.
PIKE – I pari që ka folur në lidhje me Halandin ka qenë mbrojtësi i Barçës, Zherard Pike.
Duke folur për “Football Espana” ai ka ndërhyrë në diskutimin e madh në merkato nëse Haland dhe Mbape mund të përfundojnë të dy së bashku te Reali i Madridit.
Këshilla e Pikesë ka qenë e qartë për sulmuesin.
“Haland është një lojtar i shkëlqyer, me aftësi të jashtëzakonshme. Ai ka ambicie, dëshiron të fitojë dhe ‘Topin e Artë’. Por, nëse do të isha në vendin e tij dhe me të njëjtat synime si ai do të shmangia një transferim në të njëjtën skuadër me Mbapenë”, ka thënë Pike.
LAPORTA – Ndërkaq, presidenti i Barçës, Joan Laporta, në ditën e prezantimit të Obamejangut ka folur edhe për Halandin, ndonëse pa e përmendur me emër specifikisht.
“Obamejang është një lojtar që do të na bëjë shumë punë. Por, ne kemi nisur nga puna për përforcimin e skuadrës për në verë ku kemi planifikuar një emër shumë të rëndësishëm”, ka thënë Laporta, duke iu referuar pikërisht yllit të Dortmundit.