“Shpesh i japim shumë rëndësi punës dhe lëmë mënjanë familjet tona, nevojën për të kaluar kohë me ata. Më pas vijnë ato gjëra (ndarja nga jeta) që i ndodhën Xhanpiero Ventrones, Sinisha Mihajloviçit e Xhanluka Vialit dhe menjëherë nis të mendosh për jetën”.
Antonio Konte është ende me kokë në Londër, te Totenhemi ku dje humbi me përmbysje ndaj Mançester Sitit. Gjithsesi, deklarata e dhënë dje për “The Guardian” ngjan me fjalë lamtumire. Konte jeton në Londër prej më shumë se një viti, kur në nëntor 2021 mori drejtimin e Totenhemit dhe jeton ende në një suitë të një hoteli, sepse bashkëshortja Elizabeta dhe vajza Vitoria, e cila po përfundon liceun kanë qëndruar në Itali. Gjithsesi, disa vizita në muaj duket se nuk janë më të mjaftueshme për të, aq më shumë nga humbja e tre personave të mësipërm që ai i quan miq dhe kështu forcohet ideja e një rikthimi në Serinë A.
“Jo, nuk është e lehtë që të kesh familjen në Itali, por e vetmja gjë që më bën të pranoj këtë sakrificë është shkolla e vajzës, pasi me punën time nuk mund ta spostoj çdo 2 vjet nga një qytet e shtet në tjetrin. Të ndërrosh ambient e miqësi shpesh që në moshë të vogël nuk të bën aspak mirë. Por teksa ndiej mungesën e bashkëshortes dhe vajzës dhe për më shumë në tre muajt e fundit humb edhe tre miq si Xhanpiero, Sinisha e Xhanluka, gjithçka të bëhet edhe më e vështirë. Unë e di që jam një person, i cili i përkushtohem më shumë sesa 100 për qind punës sime. Madje, jam nga ata trajnerë që sa herë largohem, klubet më ‘qajnë’. Por me gjithçka kam provuar së fundmi mendoj se edhe unë kam nevojë për të takuar miqtë, apo akoma më shumë t’i qëndroj më pranë familjes”, përfundoi italian.
