Gjyqtarët e Superiores do të jenë protagonistë në ndeshjet e para të fazës play-off në Ligën e Konferencës, pasi UEFA ka caktuar dy grupe të ndryshme për të drejtuar takime ndërkombëtare të enjten e ardhshme.
I pari do të zbresë në fushë Juxhin Xhaja, i cili është caktuar të drejtojë ekipin e Bashakshehir përballë Universitatea Kraiovës së Rumanisë në ndeshjen që do të luhet në Turqi. Asistentë të tij në këtë ndeshje janë Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo, me Olsid Feratajn të caktuar si gjyqtar të katërt. Edhe dyshja në VAR do të jetë plotësisht shqiptare me Kreshnik Bajramajn si kryesor dhe Olsion Yzeirajn si asistent të tij në këtë ndeshje. Bashakshehiri është një klub i veçantë, pasi në vitet e fundit është mbajtur shpesh me fondet e shtetit, duke qenë klubi i preferuar i presidentit Erdogan.
Ndërkohë, në Pragë do të zbresë në fushë Enea Jorgji në ndeshjen mes Spartës vendase dhe Riga FC të Letonisë. Asistentë të tij do të jenë Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa gjyqtar i katërt është caktuar Florian Lata. Në sallën e VAR-it ai do të ketë një gjyqtar italian si kryesor, Aleandro Di Paolo, ndërsa asistenti në VAR është Albert Doda. Në këtë ndeshje Jorgji do të drejtojë kësisoj dy sulmuesit e Kosovës, Albion Rrahmanin dhe Ermal Krasniqin, të cilët janë pjesë e Spartës së Pragës.
