Futboll Sport

MBAPPE, RIKTHIM I VERSIONIT TË FRIKSHËM/ Francezi duket i ringjallur nën drejtimin e Çabi Alonsos

Ka pasur një kohë kur Kilië Mbape përballej me topin pa asnjë hezitim, i bindur se me një shpërthim të vetëm shpejtësie do t’i linte të gjithë pas.

Megjithatë, me kalimin e viteve, nevoja për t’u përshtatur me role të ndryshme dhe pjekuria e tij si lojtar sollën një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si e interpreton lojën. Sot ai shihet më shumë si një qendërsulmues klasik, që i jep përparësi finalizimit, por që ende mbetet i aftë të krijojë diferencë në çdo zonë të fushës.

“Ndihem shumë mirë, por gjëja më e rëndësishme është gjithmonë të ndihmoj ekipin. Në sulm, në mbrojtje, dhe gjithçka tjetër do të vijë nëse kam shpirtin e duhur për të ndihmuar ekipin. Atëherë ne do të fitojmë ndeshje”, deklaroi francezi pas golit të parë në sezonin 2025/26. Debutimi në La Liga nën drejtimin e Ksabi Alonsos shënoi gjithashtu herën e parë që Mbape mbajti numrin 10 në shpinë. Një simbolikë që nënkupton përgjegjësi dhe lidership të ri për sulmuesin. “Ndiej se ai dëshiron më shumë. Mund ta shihni në sjelljen e tij. Nuk e di nëse është për shkak të numrit 10, por ndjehet”, komentoi një tifoz vendas në Tuluzë.
Liria në Madrid – Te PSG, ish-trajneri Luis Enrike pati vështirësi ta përshtaste Mbapenë në një skemë të kufizuar. “Ai ishte një lojtar që lëvizte kudo që donte, gjë që krijonte situata që unë nuk mund t’i kontrolloja. Për këtë arsye, tentova ta përdor si një 9 të rremë. Por nuk ndihej rehat në atë rol”, shpjegoi Enrike. Në Real Madrid, sfida ishte e ndryshme. Krahun e majtë e kishte tashmë nën zotërim Vinicius Zhunior, ndaj Mbape u detyrua të përqendronte sulmet dhe të shfrytëzonte më shumë lëvizjet diagonale. Megjithatë, ndryshe nga Parisi, në Madrid atij iu dha liri e plotë për të ndryshuar pozicionet në çdo moment, duke mos e humbur ADN-në e lojës që e ka bërë të frikshëm.

Statistikat – Në ndeshjen hapëse të sezonit, francezi rezultoi i pakapshëm. 12 driblime të tentuara, 8 të suksesshme (67% sukses), 42 pasime të sakta nga 47 tentativa. Kryesues i ligës për driblime të kompletuara pas javës së parë. Në krahasim, Niko Uilliams kishte gjithashtu 8 driblime të suksesshme, por nga 14 tentativa. Lamin Jamal përfundoi 6 nga 10, ndërsa Vinicius, lideri i sezonit të kaluar me 7 driblime në një ndeshje, këtë herë u kufizua në vetëm një driblim të plotë. Ksabi Alonso i jep kuptim versionit të ri të Mbapesë. Sistemi i Ksabi Alonsos, i bazuar mbi lëvizshmërinë kolektive dhe idenë se pozicionet duhet të jenë gjithmonë të zëna (por jo gjithmonë nga i njëjti lojtar), i dha francezit hapësirën që i mungonte. Në pjesën e parë ndaj Osasunës, Madridi vuajti për të thyer mbrojtjen kundërshtare, por në të dytën, me Mbape në qendër të aksioneve, loja mori tjetër ritëm. “Nuk kishim shumë hapësira dhe trajneri kërkoi që të kishim më shumë kontroll. Na duhej të luanim në gjysmën e kundërshtarit, duke e lëvizur topin nga një anë në tjetrën, derisa të krijonim hapësira. Dhe funksionoi”, shpjegoi Mbape.

Rikthimi i frikës – Nga një lojtar që shpesh dukej i kufizuar në PSG, Mbape është shfaqur në Madrid me versionin më të plotë të vetes: një sulmues i lirë, i padurueshëm për mbrojtësit dhe me statistika që konfirmojnë ndikimin e tij. Nëse ky ritëm vazhdon, sezoni 2025/26 mund të jetë pikënisja e një epoke të re për francezin në “Bernabeu”.

Related posts

MBAN NUMRIN 12, POR NË “WEMBLEY” FESTOI ME 12/ Mesfushori Pessina: Goli im, si një… pikturë

Delo.autor

PAS AFRIMIT TË HIGUAINIT/ Sarri i bën dalje Hazardit: Ai është lojtar individual, nuk mund të…

Delo.autor

MERKATO E BUJSHME/ “Veterani” Buffon nis negociatat me gjigantët e Europës…

Delo.autor

Leave a Comment