Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, si edhe futbollisti Elseid Hysaj kanë dalë këtë të premte në konferencën për mediet nga ‘Air Albania’ në prag të ndeshjes miqësore kundër Luksemburgut, e cila do të luhet nesër në Tiranë.
Kuqezinjtë vijnë nga humbja 0-1 kundër Izraelit në miqësoren e parë të qershorit të para dy ditëve, ndërsa Maran kërkon fitoren në ndeshjen e dytë në stolin e Shqipërisë.
Trajneri tha se i ka kuptuar pikat e dobëta të ekipit në humbjen kundër Izraelit. Ai shtoi se Hysaj do të jetë kapiten nesër në ndeshjen e 100-të për të me Kombëtaren, ndërsa mungon Anis Mehmeti për shkak të gripit. Myrto Uzuni është rikthyer pas temperaturës.
“-Humbja kundër Izraelit dhe asnjë gjuajtje në portë, çfarë ekipi presim nesër?
Kam 20 ditë që jam trajner i ekipit dhe e dija që njohja e ekipit do të donte kohë. E gjithë kjo është një rrugëtim. Asnjë gjuajtje? Kemi bërë katër gjuajtje shumë të sakta, por nuk mundëm të shënonim. Duhet të kemi një ekuilibër, na duhet një spostim si ekip nga mbrojtja në sulm. Na duhet një përmirësim taktik që nga ndeshja e ardhshme.
-Çfarë do të bëni ndryshe dhe si është gjendja e ekipit?
Duhet të përmirësojmë gjërat që nuk kanë shkuar mirë. Në fushë duhet të kemi më shumë ekuilibër. Nuk duhet të lëmë hapësira në krah. Lojtarët janë të përfshirë dhe kjo është një vlerë e ekipit. Në këto 3-4 ditë jemi kuptuar mirë me ekipin. Lojtarët kanë një vëmendje shumë të madhe dhe kjo më jep besim. Asnjë rival nuk është i lehtë. Ndeshjet miqësore janë test për shtatorin. Uzuni është rikthyer dhe ka bërë stërvitje, është gati për lojë. Mehmeti do të jetë jashtë për shkak të një gjendje gripale.
-Ndonjë lojtar që të ka bërë përshtypje? Hasa si fantazist apo në krah?
Nuk më pëlqen të përmend emra për momentin, sepse kemi punuar mirë si ekip. I referohem Hysajt, që kanë përvojë dhe i japin besim ekipit, pasi ka një numër të madh ndeshjesh me ekipin. I gjithë shpirti i ekipit, siç ka bërë Hysaj, futet në fushë dhe i jep më shumë siguri ekipit.
Luis Hasa? Ka ardhur tani në ekip, u fut në fushë në një moment delikat. E shoh si mesfushor të avancuar.
-Tre ndryshime nga Sylvinho, Broja, Laçi dhe Hoxha. Çfarë ju treguan?
Kemi nevojë për hapësira për të parë sesi funksionon ekipi dhe roli i tyre më i përshtatshëm. Këto ndeshje na ndihmojnë më shumë për të parë sesi do t’i përdorim lojtarët në Ligën e Kombeve.
-Cilat janë pikat negative në humbjen e fundit?
I keni parë edhe ju. Gabuam në mbulimin e hapësirave kur ata na sulmonin. Duhet përmirësim nga faza mbrojtëse drejt nisjes në sulm. Kemi pasur disa raste dhe kemi qenë efikas në këto krijime. Përqëndrimi na duhet.
-Bindi Alen Sherri? Mund të kemi emra të rinj titullarë?
Sherri ka bërë një ndeshje shumë të mirë, disa pritje dhe reflekse të mira. Dua t’i jap vazhdimësi ndeshjes së shkuar, por po, do të kemi disa ndryshime në ekip nesër, kemi prova për të bërë”, tha Maran.
Hysaj: “Në fushë jemi 11 kundër 11, nuk është e thënë se cili rival është përballë. Luksemburgu ka emra me kualitet dhe të përqëndruar, ne duhet të kapim 120 përqindëshin tonë për të fituar. Ambienti është shumë i mirë, trajeri është pozitiv dhe të jep energji të mirë”, tha Hysaj mes të tjerash.
