Futboll

Manaj nuk mjafton, kuqezinjtë e pësojnë në fund nga Sllovakia

Skuadra e Bushit kontrolloi mirë lojën, ndonëse dukej qartë që terreni i rënduar nuk ishte aspak aleat i futbollistëve shqiptarë, të cilët nuk mund të shpalosnin aftësitë e tyre teknike. Nga ana tjetër, sllovakët kërcënuan vetëm në një rast nga distance, por që topi u grushtua nga portieri shkodran Alen Sherri.

Në minutën e 44-t, një aksion i bukur i kuqezinjve dhe një shkëmbim topi mes Cekës dhe Manajt, bëri që sulmuesi lushnjar të zhbllokojë rezultatin dhe të çojë skuadrën në dhomat e zhveshjes, në avantazhin e një goli.

Në fillimin e pjesës së dytë, Spalek barazon rezultatin, pas një krosimi të ardhur në zonë, që la të shtangur mbrojtësit e skuadrës së Bushit.

Gjithsesi, kuqezinjtë u kundërpërgjigjën menjëherë pas 5 minutash, kur Taulant Seferi doli bukur në krah të djathtë dhe u fut në zonë, ku shërbeu sërish për Manajt dhe ky i fundit riktheu edhe njëherë Shqipërinë në avantazh.

Me kalimin e minutave, terreni rëndohej akoma më shumë dhe kuqezinjtë filluan të japin shenja lodhjeje. Kjo u shfrytëzua nga miqtë, që në minutën e 80’ kapën edhe njëherë në befasi kuqezinjtë dhe barazuan rezultatin.

Sllovakët, dukshëm më të freskët fizikisht në minutat e fundit, arritën të gjejnë edhe avantazhin, pas një rrëmuje në zonë në minutën e 87’, kur Mraz dërgoi sërish topin në rrjetën e portës së Sherrit.

Përfundon 2-3 dhe tashmë Shpresat e Bushit komplikojnë tërësisht rrugën për arritjen e objektivit, që është vendi i dytë, pasi tani skuadra mbetet në vendin e 5-të të renditjes, me 6 pikë në po kaq takime.

Shqipëria U-21 do të luajë ndeshjen e ardhshme sërish ndaj sllovakëve, por këtë herë në Sllovaki, më datë 27 Mars.

Related posts

HUMBËN SFIDËN NË FRYMËN E FUNDIT/ Shikoni gjestin e mrekullueshëm të lojtarit të Cagliari-t për kundërshtarin e tij (FOTO)

Delo.autor

PASI U LIDH ME 20 VJEÇAREN/ Bosi i Formula 1 kapet “mat” me ish-gruan në hotel

F.autor

Leo Messi e mposht ish-yllin e Realit, bëhet asistuesi më i mirë në histori të La Ligës

Q.Autor

Leave a Comment