Edhe pse skuadra e Manchester City po shkëlqen këtë sezon si në Premier League ashtu dhe në Europë, së shpejti trajneri Pep Guardiola mund të përballet me një problem serioz, siç është largimi i sulmuesit argjentinas Sergio Aguero.
Ai nuk po aktivizohet rregullisht, ndërkohë që dje realizoi 2 gola në fitoren 4-0 që City arriti ndaj Bournemouth. Aguero realizoi golin e 100 në shtëpi me fanellën e “qytetarëve”, duke vendosur një rekord, por kjo mund të mos mjatojë për të qëndruar në Mnchester. Lajmin e largimit të tij e ka konfirmuar vetë trajneri spanjoll, që do të humbiste një nga lojtarët më të mirë të skuadrës.


“E respektoj shumë Aguero, për gjithçka që ai ka dhënë dhe do të japë në të ardhmen. Ai është një legjendë e klubit, por gjithçka për sa i përket të ardhmes së tij do ta vendosë vetë lojtari. Unë jam i lumtur që e kam në skuadër, por të njëjtën gjë them edhe për sulmuesin tjetër, Gabriel Jesus, janë të dy kampionë të mëdhenj”, tha Guardiola, që duket se nuk po e menaxhon si duhet situatën me dy sulmuesit, duke i alternuar dhe shumë pak minuta kanë luajtur së bashku.
“Kam qenë vetë futbollist dhe i kuptoj kur lojtarët mërziten, kur nuk luajnë dhe duan të largohen. Gjithsecili është i lirë të bëjë atë që mendon se ëhstë më e mira për të”, tha Guardiola.
