Futboll Seria A Sport

Shndërrimi i Brozoviç/ Nga i padëshiruar, në lider të skuadrës

Deri para pak kohësh ishte i pari në listë për t’u larguar, madje në janar bëri valixhet gati për t’iu bashkuar Sevillas, por në fund Spalletti vendosi të bllokojë transferimin e Marcelo Brozoviç.

Kroati, që luan prej disa sezonesh te Interi, dukej larg shpërthimit të tij me fanellën zikaltër, teksa në fillim të vitit ishte thyer edhe raporti i tij me tifozët.

Gjithsesi Spalletti këmbënguli shumë te ai, duke arritur të dallojë cilësitë, por edhe karakterin e kroatit dhe në sfidën e vështirë ndaj Napolit, e hodhi në fushë që nga minuta e parë, duke i ngarkuar një rol me shumë përgjegjësi.

Brozoviç u aktivizua para mbrojtjes, me detyrën që të organizojë lojën e zikaltërve dhe t’i japë një dorë edhe mbrojtjes, praktikisht një nga rolet më të vështira të lojës.

Kroati ia doli me sukses dhe vijoi në të njëjtin ritëm për 5 takime radhazi, duke bërë që cilësia e lojës së zikaltërve të ndryshonte ndjeshëm dhe mesfushori të shijonte si rrallë më herët, duartrokitjet e tifozërisë.

Mungesa dje në sfidën me Atalantën, riktheu edhe njëherë dobësinë e Interit për t’u organizuar, teksa u pa qartë që Gagliardini dhe Borja Valero nuk kishin këmbën e kroatit, ndërsa Rafinha i vetëm nuk mjaftonte.

Natyrisht që Brozoviç është ende në listën e lojtarëve që edhe mund të shiten në verë, por tani zikaltrit duhet ta mendojnë mirë, para se të vendosin të pranojnë ndonjë ofertë të mundshme. Kjo sepse mesfushori kroat është i vetmi që i premton një tjetër hap në fushë Interit, atë të një skuadre pretendente.

Shumë kilometra, shumë grintë, pasime të shpejta, vertikalizime dhe mbi të gjitha një ndjenjë përgjegjësie prej lideri, kanë qenë elementët që kanë karakterizuar Brozoviçin e muajve të fundit, cilësi që nuk i gjen lehtë në lojtarë të tjerë.

Me kampionatin Botëror në prag, ku Brozoviç është një titullar i padiskutueshëm te Kroacia, pritet një tjetër shkëlqim i mesfushorit, që mund të 3-fishonte vlerën e tij në treg, por njëkohësisht mund t’i japë mundësinë zikaltërve që të përqendrojnë merkaton në të tjerë reparte.

Related posts

Interi dhe Roma nuk dinë për fitore që nga përballjet me Juventusin

Q.Autor

I ÇUDITSHËM DHE UNIK/ Jeta dhe karriera e yllit argjentinas së shpejti në një serial

Isa.Autor

ZYRTARE/ Lë Napolin për milionat, Insigne firmos me skuadrën përtej oqeanit (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment