Futboll Sport

Barazim në Laç, Kukësi ka pretendime për penallti

Ka përfunduar në barazim pa gola ndeshja në Laç mes vendasve dhe Kukësit. Pa gola në një ndeshje me shumë tension, por që në fund buzëqeshin verilindorët që ruajnë ecurinë pozitive për vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Nga ana tjetër, Laçi bën një hap fals në shtëpi për të qenë i shkëputur nga zona që të çon në Europë nëpërmjet kampionatit. Veç kësaj, të dy ekipet kanë pretenduar për penallti, por që gjyqtarët nuk kanë qenë në të njëjtin mendim.

Pjesa e parë – Lojë e fortë sportive në stadiumin e qytetit të Laçit. Kurbinasit dhe Kukësi luajnë hapur dhe kërkojnë tre pikët. Aksione sulmuese nga të dyja krahët dhe mundësi shënimi. Guri për skuadrën verilindore rrezikoi që në fillim, ndërkohë që më pas ishte Lushkja për vendasit ai i cili pas një goditjeje këndi gjeti rrjetën e jashtë. Reginaldo ishte shumë aktiv dhe provoi disa herë nga distanca, por pa mundur të befasojë Stivi Frashërin.

Në minutën e 27-të të takimit Kukësi pati mundësinë më të mirë për të shënuar me futbollistin e linjës së djathtë, Bujar Idrizin. Ish-lojtari i Llapit në Kosovë u ndal në gjuajtjen e parë nga portieri Selmani, ndërsa më pas e dërgoi topin ngjitur me shtyllën pingule. Nuk u besojnë syve miqtë pas rastit të humbur, që mund t’u jepte avantazhin.

Pjesa e dytë – Lojë e fortë në Laç, Kukësi mik dhe skuadra vendase luftojnë për tri pikët në këtë ndeshje. Rezultati 0-0 favorizon vetëm verilindorët, të cilët janë shkëputur nga vendi i dytë që mbahet nga Partizani, ndërsa bardhezinjtë duan që ta sigurojnë Europën nga kampionati, duke mos shpresuar te finalja e Kupës.

Minutat e para të pjesës së dytë flasin për bardhezinjtë, të cilët humbasin disa raste të pastra para portës së Kukësit që është mbrojtur nga Frashëri në mënyrë të rreptë. Deri në minutën e 70 janë vendësit e drejtuar nga Mezani që kanë kontrolluar lojën, por edhe gjuajtjet drejt kuadratit.

Pas minutës së 70 Kukësi kontrollon lojën, por vendësit bëhen të ashpër me ndërhyrjet e tyre. Më tepër lojtarë të shtrirë në fushë sesa lojë e luajtur. Megjithatë, skuadrat janë të ekuilibruara në rezultat. Madje, në minutën e 78 është Guri që pretendoi për një penallti, pasi Qaqi dhe Nika e “përqafuan” në momentin kur po i shkonte topi, por kryesori Meta nuk ishte i këtij mendimi.

Në minutat 83 dhe 86 Laçi i ka pasur të gjitha mundësitë që të kalojë në avantazh, por Gjoni dhe Qaqi nuk arrijnë që të dërgojnë topin në rrjetë. I pafat ekipi kurbinas, por edhe Frashëri bën mrekullinë duke mbajtur rrjetën të paprekur. Deri në fund nuk ka ndryshim rezultati, skuadrat ndahen në “paqe” dhe Laçi ndërlikon më tepër Europën pas këtij rezultati. /EDS/

Kategoria Superiore – Java 30

E diel, më 22 prill 2018, ora 16:00

Laçi – Kukësi 0-0

Laçi: Selmani, Fangaj, Gjoni, Qaqi, Sefgjinaj, Jonuzi, Lushkja (Lulaj 72’), Nika (Xhixha 83’), Kallaku, Uzuni, Reginaldo. Trajner: Gentjan Mezani

Kukësi: Frashëri, Zderic, Hoxha, Alla, Imami, Idrizi, Dzaria (Peposhi 78’), Musolli, Cale (Ebipi 67’), Shkodra (Joti 71’), Guri. Trajner:Peter Pacult

Gjyqtarë: Kridens Meta, Nertil Bregasi, Dojando Myftari, Klodian Shahini (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Sefgjinaj 66’, Abduraman 70’ / Cale 23’, Musolli 62’, Imami 79’
Delegat: Besnik Çela (Tiranë)
Vëzhgues: Mhill Shkëmbi (Tiranë)

Related posts

(VIDEO) Juventus kalon në epërsi ndaj Bolognas, Pjanic shënon një gol spektakolar

Q.Autor

Dokumenti/ As milionat e çmendura nuk e shpëtuan Vllazninë

Sadik.Autor

“NUK MERITONI TË LUANI AS NË SERIE B”/ Mediat italiane zbulojnë fjalët e rënda të Mourinhos drejtuar lojtarëve

Delo.autor

Leave a Comment