Skënderbeu vijon të jetë në pritje të ven dimeve të KAS-it në Gjykatën e Arbitrazhit Sportive për të përcaktuar mënyrën e lëvizjes për sezonin e ardhshëm. Por ndonëse korçarët janë në pritje për të vepruar në lidhje me afrimet në merkato dhe rinovimet në sezonin e ardhshëm me lojtarët e vet, ekipet e tjera janë sulur për të rrëmbyer pjesët e vyera dhe xhevahiret e klubit bardhekuq. Një ndër ta është edhe Kristi Vangjeli.
Në kërkim të shërbimeve të mbrojtësit korçar të linjës së djathtë është ekipi i Arisit të Selanikut. Të rikthyer në Superligën greke, ekipi i Arisit kërkon të nisë misionin e rikthimit në arenën europiane dhe për këtë kërkon që të formojë një grup sa më kompetitiv. Për këtë arsye, objektivi i parë i helenasve mbetet mbrojtësi korçar, ish-kapiteni i tyre para se të largoheshin nga elita e futbollit grek.
Në një situatë të tillë, verdhezinjtë e Arisit janë hedhur në sulm për të bindur mbrojtësin e Skënderbeut që të bashkohet me ta sezonin e ardhshëm. Për të arritur këtë, Aris i ka bërë një ofertë zyrtare korçarit, duke parë që edhe kontrata që e lidhte me Skënderbeun është drejt fundit. Grekët i ofrojnë në këmbim të rikthimit në Selanik, një rrogë të majme mujore, por edhe shiritin e kapitenit.
Duke e graduar kapiten, helenët pritet që të bindin korçarin të bashkohet me ta. Mbrojtësi Nga ana e tij, mbrojtësi i Skënderbeut duket tejet i lëkundur. Dyzimi është i madh pasi nga njëra anë i pëlqen jashtë mase një rikthim pranë familjes në Greqi, kurse në krahun tjetër e tundon qëndrimi në Korçë nën fanellën e Skënderbeut. Në këtë mënyrë, pavendosmëria e Vangjelit mbetet e madhe. Vangjeli duket se ka dy plane në mendje.
Fillimisht, sipas burimeve pranë mbrojtësit bardhekuq, pritet që të ndajë mendjen nëse e ka të vendosur përfundimisht që do të kthehet në Greqi pranë familjes apo do të shtyjë rikthimin edhe për një sezon. Nga ana tjetër, duket se Vangjelin e tundon një tjetër pjesëmarrje në Europë në kompeticionin madhor të Champions Ligës.
Dhe në këtë pjesë, nëse Skënderbeu arrin të sigurojë përfaqësimin në Europë, pritet që të paktën deri në fund të eliminatoreve, të shtyhet vendimi i tij për t’u rikthyer në Greqi. Praktikisht, Vangjeli mund të luajë Championsin me Skënderbeun dhe më pas, nëse dëshira është e madhe për t’u rikthyer në Greqi, mund ta bëjë në fillimin e sezonit të ardhshëm.