Nuk munguan sukseset për 2017-ën as në sportet e tjera, teksa Romela Begaj dhe Izmir Smajlaj shkruan emrin e tyre dhe të Shqipërisë, në ‘Librin e Artë’ të medaljeve. Gjithashtu, edhe tenisi pati rikthime të emrave të mëdhenj, si Federer, Nadal dhe Serena Williams, që u rikthyen te fitoret dhe kryesimi i renditjes botërore. Edhe NBA-ja ishe e mbushur me emocione dhe spektakël, ndërsa në fund triumfoi Golden State Warriors, që edhe këtë sezon po vijon dominimin. Më poshtë janë listuar të gjithë kampionët në eventet sportive më kryesore, por edhe sportistët shqiptarë, që arritën të ngrenë lart flamurin kuqezi.
Rikthimi i madh i Romela Begajt. Sportistja shqiptare shkroi historinë pasi në peshën 69 kg fitoi medaljen e Artë në Botërorin, që u zhvillua në SHBA, në stilin e shkëputjes, duke realizuar me sukses të 3-ja provat, ndërsa doli e dyta në dygarësh me 235 kg në total, duke fituar edhe një medalje të Argjendtë.
Izmir Smajlaj shpallet kampion Europe. Sportisti shqiptar i kërcimit së gjati arriti të triumfojë në Kampionatin Europian të sallave të mbyllura, të organizuar në Serbi. 24-vjeçari shkodran regjistroi hedhjen e artë në tentativën e 6, që ishte njëkohësisht edhe e fundit, me 8 metra e 8 centimetra. Krahas vendosjes së rekordit kombëtar në këtë disiplinë, Smajlaj ‘gdhendi’ emrin e tij dhe të Shqipërisë, në ‘Librin e Artë të Kampionëve’.