Futboll Seria A

Juventus-Roma/ Sulmi më i mirë, përballë mbrojtjes ‘bunker’ të verdhekuqve

Juventus-Roma, pas “erës” Totti, vjen në një moment sa të veçantë aq edhe delikat për të dyja skuadrat në garë për titullin e Serie A këtë sezon. Asnjëherë më parë nga “Juventus Stadium”, skuadra kryeqytetase nuk ka arritur të dalë me kokën lart, por ky duel është një “Match point” në garën 4-she, pasi Napoli pret Sampdorian në vështirësi të mëdha kohët e fundit, ndërsa Interi viziton Sassuolon dhe skuadra që mund të humbasë këtë 90-minutësh, mund të dalë me ‘kocka të thyera’.

6 ndeshje dhe po kaq humbje në stadiumin e ri të Juventusit, për Romën, duke nisur që nga Luis Enrique dhe për të vazhduar me Zeman, Garcian e Spallettin. Gjithçka rinis nga dyshja Allegri-Di Francesco, sulmi më i mirë përballë mbrojtjes më të mirë.

Në sfidat mes 5 të parave bardhezinjtë nuk njohin ende fitore këtë sezon, ndërsa skuadra e Di Francescos kaloi Lazion në derbi. Në 1/8-at e Kupës, Roma sakrifikoi një pjesë të madhe të titullarëve dhe e pësoi ndaj Torinos, ndërsa Juventusit i buzëqeshi fati ndaj Genoas dhe ky mund të jetë një handikap i madh psikologjik për verdhekuqtë, tashmë jashtë garës së Kupës.

Në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit, Dzeko e ka gjetur vetëm një herë rrugën e rrjetës në ndeshjen kundër SPAL-it dhe në kampin verdhekuq kanë nisur të bien prej kohësh kambanat e alarmit në lidhje me formën e sulmuesit boshnjak. Në krahun tjetër, kampionët në fuqi kanë arritur të gjejnë modulin e duhur në mbrojtje dhe mesfushë, pasi nuk pësojnë gol që prej 7 ndeshjesh.

Nëse krahasohen dy skuadrat në filozofi, Roma është qartësisht më kaotike, pasi krijon shumë, por edhe shpërdoron shumë, ndërsa bardhezinjtë janë më të qartë në lojën e tyre dhe arrijnë të menaxhojnë në mënyrën më të mirë energjitë.

Matuidi dhe Nainggolan do të duelojnë në mesfushë, Pjaniç dhe Kolarov në goditjet standarde, ndërsa në portë braziliani Allison sfidon ish shokun e skuadrës, polakun Sczezny. Shumë pikëpyetje dhe pak përgjigje qëndrojnë pezull në prag të kësaj sfide. “Gjykatësi” i vetëm do të jetë fusha lojës, ku Juventusi mund të nxjerrë më në fund muskujt, ndërsa Roma ka mundësinë e artë të shkelmojë historitë e hidhura të ndeshjeve vendimtare.

Related posts

DERBI I MERSEYSIDE/ Everton s’dorëzohet, rihap sfidën ndaj “Të Kuqve” me zbulimin e sezonit (VIDEO

Delo.autor

PREMIER LEAGUE UL SIPARIN/ “Djajtë e Kuq” dhe Chelsea shkojnë në Champions, Vardy fiton “Këpucën e Artë”

Delo.autor

Njihuni me notat e lojtarëve të super ndeshjes United – Chelsea (FOTO)

Q.Autor

Leave a Comment